Nesër aktgjykimi ndaj Gucatit e Haradinajt, familjet shkojnë në Hagë
Foto: RTK
Kosovë

Nesër aktgjykimi ndaj Gucatit e Haradinajt, familjet shkojnë në Hagë

Jeton Musliu / RTKlive

Aktgjykimi i parë i Dhomave të Specializuara, që prej votimit për themelim nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015, do të shpallet nesër në Hagë.

Megjithatë, ky aktgjykim nuk ka të bëjë fare me pretendimet e raportit të ish-senatorit zviceran, Dick Marty, mbi dyshimet e ngritura prej tij, për trafikim organesh nga UÇK-ja, mbi të cilat edhe u krijua Gjykata Speciale.

Aktgjykimi ndaj Hysni Gucatit, kryetar i OVL të UÇK-së e Nasim Haradinaj, nënkryetar i OVL të UÇK-së, ka të bëjë me publikimin e dokumenteve të prokurorisë së speciales, që kësaj  të fundit i rrodhën në publik.

  Musli Gucati-djali i Hysni Gucatit/Foto: Facebook 

Pas një viti e gjysmë kur Gucati e Haradinaj u arrestuan në Prishtinë, nesër në orën 10:00, në Hagë, pritet të shpallet aktgjykimi ndaj tyre.

E tashmë atje, kanë shkuar familjarë, miq e të afërm të Gucatit e Haradinajt, të cilët thonë se presin që ata të lirohen.

“Ne kemi ardhur në Hagë dhe padyshim që presim që babai të lirohet”, thotë Musli Gucati, djali i Hysni Gucatit.

Ai tregon për RTKlive, se në Hagë ka shkuar me nënën e tij (bashkëshorten e Hysni Gucatit), dhe axhën e tij.

“Por këtu kanë ardhur edhe shumë miq e shokë”, thotë Gucati për RTKlive. “Nëse do të ketë sadopak drejtësi, ata nesër do të lirohen”, thotë ai.

Nga njoftimi zyrtar i Dhomave të Specializuara, nesër më 18 maj 2022, pritet që nga Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara, të bëhet shpallja e aktgjykimit për dy të akuzuarit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, aktakuza ndaj së cilëve ishte korrigjuar dy herë – më 5 korrik 2021 dhe 4 tetor 2021.

Avokat Arlind Fetahu/ Foto: Facebook

Avokati Arlind Fetahu, thotë për RTKlive se fillimisht, duhet rikujtuar që Gucati e Haradinaj, akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike dhe vepra penale kundër rendit publik.

“Sigurisht, trupi gjykues do të ketë parasysh rrjedhën kronologjike të fakteve se si kanë vijuar, siç edhe vetë Prokuroria Speciale argumenton në aktakuzën e saj të datës 4 tetor 2021”, thotë Fetahu.

“Duke marrë referencë në data respektive, më tepër e mbështet atë në deklarata të cilat janë shprehur kryesisht në frymën e opinoneve, sesa në shpërndarje të informacioneve, e të cilat informacione – është fakt notor se kanë  rrjedhur nga vetë ZPS, e më pas ato eventualisht janë shpërndarë nga medie të caktuara”.

Avokati Fetahu deklaron se duke ditur gjithë këtë, konsideron se nuk duhet paragjykuar aktgjykimi i trupit gjykues, duke ditur edhe faktin se pavarësisht përmbajtjes së tij, i njëjti mund të apelohet në shkallë të dytë dhe si i tillë, nuk është i formës së prerë.

 


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa