Gjukanoviq lë të hapur mundësinë e rishikimit të demarkacionit
Foto: RTK
Kosovë

Gjukanoviq lë të hapur mundësinë e rishikimit të demarkacionit

Muharrem Miftari/RTKLive

Presidenti Gjukanoviq, në konferencën me gazetarë, foli edhe për çështjen e demarkacionit. Ai deklaroi se është biseduar për të gjitha çështjet që kërkojnë zgjidhje e në këtë vazhdë edhe për demarkacionin.

(E plotësuar 13:22) “Sikurse deklaroi edhe presidentja Osmani, jemi të vetëdijshëm se kjo është një çështje e ndjeshme, që duket si problematike për disa që dëshirojnë të krijojnë probleme, por që për ne nuk konsiderohet e tillë, ngase kemi komisionet tona për të kryer ashtu si duhet, që të mos shndërrohet si burim i problemeve”, deklaroi mes tjerash presidenti Gjukanoviq.  

Tutje, presidenti Gjukanoviq, ndryshe nga kryeministri i vendi të tij Dritan Abazoviq, i cili pati thënë se demarkacioni ka marrë fund, theksoi se përmes komisionit të përbashkët do t’i japin hapësirë çfarëdo dileme të mundshme. 

“Kemi folur edhe për çështjen e kufirit, kemi marrëveshjen të nënshkruar në vitin 2015, po ashtu kemi edhe deklaratën e përbashkët të dy presidentëve në vitin 2018 dhe të njëjtat janë miratuar në kuvendet e dy vendeve. Kjo çështje mund të konsiderohet problematike vetëm për ata që dëshirojnë probleme. Megjithatë, si dy vende mike, përmes punës së përbashkët të komisionit do t’i japim mundësi çfarëdo korrigjimi”, tha ai.

Osmani e Gjukanoviq për ‘Ballkanin e Hapur’

Në konferencën e përbashkët të të dy presidentëve mes tjerash u fol edhe për nismën “Ballkani i Hapur”, nismë të cilën të dy shtetet e kanë kundërshtuan pjesëmarrjen e tyre.

Që të dy liderët përmendën arsyet e mospjesëmarrjes së tyre në këtë nismë, duke theksuar njëherazi se duhet kushtuar kujdes aspektit ekonomik që të dy vendet të jenë atraktivë në ofrimin e kushteve për investime nga ndërkombëtarët.

“Ky orientim parimor nuk do të thotë se jemi symbyllur për nismat tjera, por jemi për nismën e Berlinit, që është komplementare në rrugën tonë drejtë BE-së”, deklaroi kryetari Gjukanoviq.

Tutje, Gjukanoviq theksoi se nisma  “Ballkani i Hapur” është një nismë që ka nisur në momente depresioni që kishte kapluar rajonin, kur është menduar se rajoni ka ngelur anash integrimeve evropiane.

Ndërkaq kryetarje Osmani lidhur me këtë nismë theksoi se edhe në takimin e G7-ës u potencua bashkëpunimi rajonal, që mbështesin proceset që çojnë në integrime drejtë BE-së.

“Duke qenë një situatë e rënduar tani pas luftës në Ukrainë, ne vazhdojmë të mbajmë qëndrimin në Kosova të vazhdojë në nismat rajonale që çojnë drejtë BE-së”, deklaroi kryetarja Osmani.

Osmani: Vuçiq është ‘copy paste’ e veprimeve ruse

Presidentja Osmani, në konferencën  me gazetarë, bashkë me kryetarin Gjukanoviq, foli edhe për raportet mes Kosovës e Serbisë.

Presidentja Osmani në konferencën me gazetarë bëri të ditur se në takimin “sy më sy” mes të dy presidentëve u diskutua edhe për rajonin, me theks të veçantë Serbinë, si një shtet satelit i Rusisë, që konsiderohet si një shtet që rrezikon paqen në rajon.

“Veprimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq  janë si një “copy paste” retorike e veprimeve ruse, që si qëllim ka që njëri shtet të determinojë fatin e shteti tjetër. Duhet ditur se jemi shtet i pavarur dhe nuk do të lejojmë që politika hegjemone ruse ta arrijë qëllimin ta destabilizojë rajonin”, deklaroi presidentja Osmani.

Ajo, tutje, theksoi se deri më tani me sukses jemi kundërvënë ndikimeve ruse-serbe.

“Ne kemi shprehur vullnetin e popullit të Kosovës e nuk kemi pyetur dëshirën e Serbisë”, shtoi  presidentja Osmani.

Më tej ajo bëri thirrje BE-së që të jetë e qartë në vlerat e saja, duke ndalur veprimet destabilizuese të Serbisë.

Presidentja Osmani: Jemi bashkë për stabilitet e siguri në rajon

13:02 Presidentja Osmani  së bashku me presidentin malazias, Milo Gjukanoviq, mbajtën konferencë me gazetarë.

Duke falënderuar kryetarin e Malit të Zi për vizitën e tij në vendin tonë, presidentja Osmani foli kontributin e tij për krijimin, zhvillimin e ruajtjen e raporteve tona miqësore ndërshtetërore.

Ajo e vlerësoi lart kontributin e presidentit Gjukanoviq për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Presidenjta Osmani shpalosi edhe momentin e vizitës së presidentit Gjukanoviq në vendin tonë, që, sipas saj, po ndodh në rrethana dramatike për rajonin dhe jo vetëm.

“Kjo vizitë e presidentit Gjukanoviq, veç aspektit të marrëdhënieve tona bilaterale, ndodh edhe në rrethana dramatike në rajon e më gjerë”, deklaroi presidentja Osmani-Sadriu.

Tutje, presidentja Osmani-Sadriu përmendi edhe situatën e rëndë në Ukrainë, prej nga ndryshoi gjendja jo vetëm atje, por edhe në rajonin tonë.

Presidentja Osmani vuri theksin e bisedës në kërkesën e saj drejtuar presidentit Gjukanoviq në mbështetjen e Malit të Zi në anëtarësimin e Kosovës në KE.

Ajo përmendi edhe çështjet tjera që kanë të bëjnë me interesat e qytetarëve të të dyja vendeve, si, fjala vjen,  në sferën e ekonomisë, të turizmit, etj.

Presidenti Gjukanoviq në Prishtinë, në takim me presidenten Osmani

Ka mbërritur në Prishtinë presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.

Ai është pritur me nderimet më të larta shtetërore nga homologia e tij, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.

Pas ceremonisë protokollare dhe pritjes nga garda e nderit, tashmë ka filluar takimi mes dy presidentëve.

Më vonë, pritet që Osmani-Sadriu dhe Gjukanoviq të mbajnë edhe një konferencë për media kurse më pas, Gjukanoviq do të vazhdojë me pjesën tjetër të agjendës.

Mes tyre është nderimi që do të bëhet pranë monumentit për të pagjeturit.

 


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa