Fundjava pa pagesë në autobusët e Trafikut Urban
Kosovë

Fundjava pa pagesë në autobusët e Trafikut Urban

Blerim Halimi / RTKlive

Transporti me autobusët e Trafikut Urban në kryeqytet do të jetë falas gjatë dy ditëve të kësaj fundjave. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur Komuna e Prishtinës përmes një postimi në Facebook, derisa ka bërë thirrje që qytetarët të përdorin edhe transportin alternativ.

“Ju njoftojmë se nesër dhe pasnesër, me datë 21 dhe 22 maj, transporti me Trafikun Urban do të jetë pa pagesë. Për të mirën e kryeqytetit, ju inkurajojmë që sa më shumë të përdorni transportin publik dhe alternativ”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Më herët Komuna e Prishtinës ka njoftuar se këtë fundjavë do të bëjë sërish testimin e qarkullimit në trafik në rrugët e kryeqytetit, përkatësisht në unazën e brendshme të saj.

Kjo bëhet në përpjekje për të parë nëse diçka e tillë funksionon në mënyrë që të zhbllokohet trafiku i rënduar në kryeqytet.

Kështu, këtë të shtunë e të diel, nga ora 06:00 deri 23:40, vazhdon testimi i dytë i shndërrimit të gjithë unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe  për automjetet.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa