Komuna e Prishtinës eliminon dhe krasit drunjtë e dëmtuar
N. Mekolli /RTKlive.com
Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë disa veprime për të parandaluar rreziqe sikurse ajo që ndodhi para dy ditësh, ku një i ri humbi jetën dhe një grua u lëndua rëndë, si pasojë e rrëzimit të një druri i cili u shkul nga erërat.
Sipas njoftimit të komunës, ekipet sot kanë dalë në terren për të identifikuar dhe eliminuar drunjtë e dëmtuar që paraqesin rrezik për qytetarët.
“Komuna e Prishtinës nëpërmjet Hortikulturës dhe Organit Mbikëqyrës është në proces të vazhdueshëm të identifikimit dhe eliminimit të drunjve të dëmtuar të cilët paraqesin rrezik potencial si rezultat i kushteve të rënda atmosferike, si dhe krasitjes së disa prej tyre për të evituar rrezikun nga kabllot e rrymës” , thuhet në njoftimin e kësaj komune.
Bëhet e ditur po ashtu se deri tash është bërë realizimi i prerjeve dhe krasitjeve në rrugët ‘Abedin Rexha’ dhe në ‘Parkun e Qytetit’. Kurse komuna ka planifikuar që njëjtë të veprojë edhe në Taukbahqe, në rrugët "Simon Shiroka" në qendër të qytetit dhe "Jonuz Zejnullahu", si dhe në vende të tjera ku mund të paraqesin rrezik për qytetarët.

























