Publikohet udhëzuesi për Drejtësi në Tranzicion
A.Bela / RTKlive
Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë ka publikuar të hënën udhëzuesin për dizajnimin e strategjisë “Drejt një strategjie kombëtare të drejtësisë tranzicionale për Kosovën”.
Projekti "Transformimi i perceptimeve konfliktuale përmes rritjes së angazhimit qytetar dhe të komunitetit në Kosovë" mbështetet nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe ky aktivitet zbatohet nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë në kuadër të Koalicionit të Kosovës për Pajtim (KCR).
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në publikimin e këtij udhëzuesi tha se MD-ja është e fokusuar në strategjinë që ka në qendër viktimat gjatë luftës. “Ministria e Drejtësisë është e angazhuar në hartimin e një strategjie e cila ka në fokus viktimat dhe nevojat e veçanta të tyre. Andaj konsultimi i vazhdueshëm me të gjithë ata që janë prekur nga lufta duke iu kushtuar vëmendje të veçantë krimeve dhe abuzimeve të kryera ndaj grupeve të margjinalizuara është mënyra më e mirë për t’i njohur pwr së afërmi nevojat e tyre që ato pastaj të pasqyrohen qartë në strategji. Duke qenë pjesë e planit qeverisës padyshim që vullneti politik në finalizimin e kësaj strategjie mbi parimet bazë për drejtësi tranzicionale nuk mungon, në fakt ne jemi më të përkushtuar si asnjëherë më parë që të trajtojmë të kaluarën tonë dhe t’i japim kahje të ardhmes drejtë respektimit dhe garantimit, por po ashtu edhe të drejtave të njeriut. Megjithatë duhet ta pranojmë se hartimi i kësaj strategjie deri tani ka qenë mjaftë sfidues, institucioneve të Kosovës duke se iu mungojnë kapacitetet e nevojshme për zhvillimin e politikave në drejtësi tranzicionale”, u shpreh Haxhiu.
Kurse Tomash Szunyog, shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, tha se Kosova si një shoqëri e re ka nevojë transformim shoqëror dhe për këtë sipas tij BE-ja bën thirrje qeverisë të finalizojë drejtësinë për tranzicion. " Në strategji Qeveria ka nevojë që të adresojë të gjitha sfidat dhe të marr masa për të siguruar nëse ky proces është gjithëpërfshirës me qartësi në zgjidhje dhe nuk ka diskriminim”, u shpreh shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë.
Ndryshe Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë, ka dhënë rekomandime dhe përfundime se Drejtësia tranzicionale – me mekanizmat e saj të ndërlidhur të së vërtetës, drejtësisë, dëmshpërblimit dhe garancive të mospërsëritjes jep një kontribut thelbësor në rrugëtimin e tranzicioneve komplekse të shënuara nga interesa konkurruese, pakënaqësi shoqërore dhe individuale, dhe ku narrativat përçarëse edhe më tutje rrezikojnë polarizimin e mëtejshëm të shoqërisë dhe politikës.
Po ashtu sipas DHHK-së, përfshirja e Drejtësisë Tranzicionale në dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe diskutimet me BE-në rreth Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) për të mbështetur një qasje të përqendruar te viktimat për konsolidimin e paqes dhe një normalizim të negociuar të marrëdhënieve.























