Zvicra rifillon fluturimet, rregullohet problemi kompjuterik
Foto: Jeton Musliu
Kosovë

Zvicra rifillon fluturimet, rregullohet problemi kompjuterik

Jeton Musliu / RTKlive

(E plotësuar: Ora 11:04) Hapësira ajrore e Zvicrës është liruar për fluturime. Kjo pasi defekti në sistemin e evidentuar nga ana e Autoritetet të Aviacionit Civil zviceran është rregulluar.

Tani fluturimet e parapara do të rifillojnë ngatë gjitha vendet drejt Zvicrës dhe nga Zvicra drejt vendeve të tjera. Në këtë rast edhe nga Kosova dhe Aeroporti i saj Ndërkombëtar i Prishtinës.

Njoftimin e ka dhënë Aeroporti Ndërkombëtar i Cyrihut në llogarinë e vet në Twitter.

“Operimet fluturimeve kanë nisur sërish me kapacitet 100%, që nga ora 10:00”, deklaron Aeroporti i Cyrihut.

“ Sot priten vonesa”, sqaron Aeroporti.

“Ne vazhdojmë tu rekomandojmë pasagjerëve që të kontrollojnë statusin e fluturimit të tyre me kompaninë e tyre ajrore”, sugjeron Aeroporti i Cyrihut.

Përndryshe, hapësira ajrore zvicerane ka qenë e mbyllur që nga mëngjesi i ditës së sotme.

Qindra fluturime janë anuluar e mijëra udhëtarë kanë mbetur nëpër aeroporte.

Arsyet ishin problemet kompjuterike në kontrollin e trafikut ajror Skyguide.

Sipas kontrollit zviceran të trafikut ajror, të gjitha fluturimet tani janë gati të realizohen.

Skyguide shpreh keqardhje për incidentin dhe pasojat për klientët, partnerët dhe pasagjerët. 

 

Dhjetëra udhëtarë me destinacion Zvicrën, mbesin në Aeroportin e Prishtinës

(E plotësuar: Ora: 10:40) Dhjetëra udhëtarë kanë mbetur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, të cilët destinacion kishin qytete e Zvicrës së Bazel, Cyrih apo Gjenevë.

Kjo pasi autoritetet zvicerane kanë mbyllur në tërësi hapësirën ajrore pas një defekti të identifikuar në sistemin e tyre kompjuterik.

Kjo ka bërë që udhëtarët në aeroportet e vendeve të ndryshme që destinacion kishin Zvicrën, të mbesin të bllokuar.

E njëjta situatë vlen dhe për ata që nga Zvicra kanë destiacion ndonjë vend tjetër.

Ndërkohë, Leonora Bërbatovci, gazetare e RTK-së, e pranishme në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, konfirmon se bazuar në ekranet e njoftimeve për shkuarje dhe mbërritje, fluturimet nga dhe drejt Zvicrës janë shtyrë.

Kështu, fluturimi drejt Cyrihut i orës 8:35 minuta është shtyrë, edhe ato të  orës 9:15 e 10:00 minuta të parapara drejt Gjenevës.

Të shtyra janë edhe fluturimet e orës 9:45 drejt Cyrihut dhe ai i orës 10:15 drejt Bazelit.

Në këtë situatë, udhëtarët e të gjitha këtyre fluturimeve tashmë ndodhen në aeroport duke pritur, ngase Autoritetet e Aviacionit Civil të Zvicrës nuk kanë dhënë orë të saktë se kur do të rregullohet defekti kompjuterik.


Zvicra mbyll hapësirën ajrore, anulohen fluturimet, përfshirë nga Prishtina

Janë anuluar të gjitha fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, drejt Gjenevës, Bazelit e Cyrihut në Zvicër.

Në ekranet e njoftimeve shkruan se fluturimet janë shtyrë, por në fakt tash për tash, bazuar në njoftimin e autoriteteve zvicerane, ato janë anuluar.

E kjo, jo vetëm për fluturimet nga Kosova, por për të gjitha fluturimet nga Zvicra dhe drejt Zvicrës.

Hapësira ajrore e Zvicrës është mbyllur në tërësi,  për shkak të dështimit të sistemit.

Kështu, aktualisht asnjë aeroplan nuk mund të ulet dhe të ngrihet në aeroportet e  Zvicrës.

Autoritetet deklaruan edhe nëpërmjet postimeve në llogaritë e rrjeteve sociale se arsyeja është një dështim i sistemit në Skyguide.

 “Tani presim që operacionet e fluturimit të rifillojnë në mesditë me kapacitet të reduktuar. Regjistrimi në aeroportin e Cyrihut vazhdon”, deklaruan nga Aeroporti i Cyrihut në një postim në Twitter, këtë mëngjes.

Aeroportet në Zvicër mbesin të mbyllura ashtu si edhe tërë haësira ajrore, deri në një njoftim të dytë.

Sipas kontrollit zviceran të trafikut ajror, hapësira ajrore zvicerane u mbyll për arsye sigurie, shkaku i një defekti kompjuterik me sistemin e kontrollit të trafikut.

 “Hapësira ajrore zvicerane është e mbyllur për trafikun ajror për arsye sigurie pas dështimit të kompjuterit me Skyguide, shërbimin zviceran të kontrollit të trafikut ajror”, thanë zyrtarët e Autoritetit Civil të Aviacionit zviceran.

Agjencia zvicerane e lajmeve “ATS-Keystone” tha se fluturimet ndërkombëtare për në Zvicër po ridrejtoheshin drejt Milanos.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa