Kryeministri Kurti bashkëbisedoi me përfaqësuesit e komunitetit rom
Foto: Valjeta Shala/ RTK
Kosovë

Kryeministri Kurti bashkëbisedoi me përfaqësuesit e komunitetit rom

Valjeta Shala/ RTK

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkëbisedoi sot me përfaqësuesit e komunitetit rom. Në hapje të tryezës së organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit, ai i falënderoi për kontributin, angazhimin dhe rolin e tyre në ndërtimin e vendit tonë.

"Jam me shumë shpresë që bashkëpunime edhe më të mira më gjithë ju do të kemi në të ardhmen, drejt realizimit të synimeve të përbashkëta për më shumë barazi edhe më shumë mirëqenie", tha kryeministri Kurti.

Duke përmendur zhvillimet pozitive për komunitetin, kryeministri veçoi vendimin e Qeverisë për krijimin e ekipit ndërinstitucional për punësimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, nismën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal bashkë me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për dhënien e 100 bursave për nxënës të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për studime në Fakultetin e Edukimit, si dhe ndarjen e 500 bursave shtesë nga Ministria e Arsimit për studentë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në drejtime të tjera të studimeve.

Kryeministri foli edhe për programin për 100 praktikantë, me prioritet për komunitete, që tash janë të angazhuar në ministritë dhe komunat.

Ai tha se më vonë gjatë vitit do ta kemi edhe një konferencë, ku aty mund t’i ndajnë përvojat e tyre për të inkurajuar të tjerët prej komuniteteve, të kontribuojnë me aftësitë e tyre, me dijen e përvojën e tyre nëpër institucione.

"Gjatë muajve të verës, Zyra për Çështje të Komuniteteve do ta shpall thirrjen e radhës për grante për aftësim dhe punësim të komuniteteve, sepse ky është prioritet si për Qeverinë tonë, ashtu edhe për komunitetet", tha kryeministri Kurti.

Zyra për Çështje të Komuniteteve i ka 1.5 milion euro për ndarjen e granteve për komunitetet sivjet, dhe organizata joqeveritare dhe media rome kanë aplikuar për fonde në thirrjen e fundit të Zyrës.

Një e arritur që u përmend është “Platforma digjitale për mbrojtje nga diskriminimi për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian” që është lansuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë, në Zyrën e Kryeministrit.  

"Ju ftoj që t’i inkurajoni anëtarët e tjerë të komunitetit ta shfrytëzojnë, ashtu që institucionet ta kenë një pasqyrë sa më të qartë se ku po ndodhin shkeljet. Nuk mund të kemi respektim të ligjit për një qytetar të një komuniteti e mosrespektim për një qytetar tjetër të një komuniteti tjetër. Sepse barazia e qytetarëve është e garantuar në republikë", theksoi kryeministri.

U tha se të gjitha këto, dhe shuma masa të tjera, janë përfshirë në “Strategjinë për komunitetet rom dhe ashkali”, që është përgatitur nga Zyra për Qeverisje të Mirë, pas konsultimeve me komunitetet. 

Në tryezën e përbashkët morën pjesë edhe Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z.Sejnur Veshall, deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Erxhan Galushi, këshilltarja e kryeministrit për çështje të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, znj.Nurije Shala, këshilltarja e kryeministrit për çështje të komuniteteve znj.Elizabeth Gowning, përfaqësues politik, përfaqësues të institucioneve e të shoqërisë civile.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa