Kryeministri mirëpret kontributin e bursistëve të KAEF-s
Kosovë

Kryeministri mirëpret kontributin e bursistëve të KAEF-s

RTKlive

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte i pranishëm sot në ceremoninë e nënshkrimit të zotimit të bursistëve të Fondit Arsimor Kosovar-Amerikan KAEF për ofrimin pro bono të ekspertizës së tyre për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe institucionet e saj.

Pasi përshëndeti të pranishmit, kryeministri Kurti tha se është shumë i lumtur që nënshkruan këtë zotim, i cili edhe e mirëpret kontributin e të gjithëve për forcimin e qeverisjes në vend tonë.

Kryeministri Kurti shprehu kënaqësinë, që sot ishte në mesin e atyre njerëzve, që siç tha ai, i japin shpresë, që profesionistë si ata po shohin shumë e më shumë arsye për të vazhduar që të punojnë për këtë vend.

“Është e jashtëzakonshme që të gjithë ju që keni pasur fatin që të studioni në programe cilësore të arsimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tani jeni kthyer në shtëpi me ide e perspektivë të re, keni hapur dhe udhëhiqni biznese ose organizata të suksesshme dhe disa prej juve keni punuar ose jeni duke punuar drejtpërdrejt për Qeverinë”, tha kryeministri Kurti para të pranishmëve duke folur për programin e KAEF.

Kryeministri Kurti tha se nuk mund ta shprehë dot gjithë mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm dhe ekspertizën që ata ofrojnë për institucionet tona shtetërore.

“Saherë fillojmë të flasim për ekonominë, ne përfundojmë duke folur për edukimin dhe saherë që fillojmë të flasim për edukimin përfundojmë duke folur për ekonominë. Ndoshta ky është një indikator se e vetmja gjë që është më e rëndësishme se ekonomia dhe edukimi, është ndërlidhja mes të dyjave”, theksoi kryeministri, duke potencuar se pret që të punojnë së bashku dhe të jepet më e mira për vendin.

KAEF është një program arsimor prestigjioz që ofron bursa për studentët e nivelit master në universitetet kryesore të ShBA-së.