(Eplotësuar) FSK-së i shtohen edhe 17 oficerë të rinj të karrierës
Foto: Valjeta Shala/ RTK
Kosovë

(Eplotësuar) FSK-së i shtohen edhe 17 oficerë të rinj të karrierës

Valjeta Shala/ RTKlive

Në ceremoni të veçantë, sot në Kazermën “Adem Jashari”, pas katër vite studime akademike, diplomoi Gjenerata 2022 e kadetëve të Qendrës për Studime Universitare “Wesley Clark” e Akademisë së Mbrojtjes së FSK-së.

Në ceremoni të diplomimit, morën pjesë Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, personalitete institucionale, politike, diplomatike, e ushtarake vendore dhe ndërkombëtare, ushtarakë e zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, si dhe familjarë të kadetëve të diplomuar.

Me këtë rast, para të pranishmëve, fjalim mbajti Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili vlerësoi lartë këtë të arritur, jo vetëm për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në, por edhe për gjithë qytetarët e vendit, shtetin dhe institucionet e saj.

Ai porositi oficerët e rinj që të gjitha njohuritë akademike dhe shkathtësitë profesionale të fituara t’i orientojnë në shërbim të forcës për të avancuar edhe më shumë dedikimin e shenjtë për mbrojtjen e vendit, respektivisht lirisë, pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të tij. Gjithashtu, ai theksoi se të gjitha këto duke u udhëhequr nga vlerat më të larta të ushtarakut, dhe duke kujtuar gjithmonë të kaluarën tonë të lavdishme dhe bartësit e saj brez pas brezi.

Në kuadër të programit, përveç ndarjes së diplomave, u publikuan edhe emrat e instruktorit dhe kadetit më të dalluar. Kadeti më i dalluar për Klasën 2022, u shpall kadet Korab Seferi, kurse instruktori më i dalluar, u shpall Toger Premtim Shaqiri, të cilët pranuan medaljet nga Ministri Mehaj dhe Gjeneral Jashari.

Ushtria e Kosovës nga sot ka edhe 17 oficerë më shumë

Ata i janë bashkuar Forcës së Sigurisë se Kosovës, pas katër vjet studime në Qendrën për Studime Universitare.

“Sot i shtohen edhe 17 kadet-oficer të rinj ushtrisë sonë”, tha në fjalën e tij, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj. 

“Pas 4 vjet të përgatitjes, ju  kuptuat obligimet ndaj atdheut”, tha Mehaj.

Ai tha se derisa vendi lind atdhetarë sikurse këta kadetë, tradita jonë për t’i shërbyer vendit nuk do të vdes kurrë. “Beteja jonë e radhës është antarësimi jonë në NATO”, tha ministri Mehaj në ceremoninë e gradimit të klasës 2022 të kadetëve të QSU-së.

Emocionet e kadetëve dhe familjarëve të tyre pas betimit të oficerëve të rinj, ishin të forta.

Diplomojnë kadetët e “Wesley Clark” të FSK-së

Jeton Musliu/ RTKlive

Sot në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, mbahet ceremonia e diplomimit të kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme shkruan se ceremonia mbahet duke filluar nga ora 10:00.

Në këtë ngjarje, pritet të marrin pjesë zyrtarët më të lartë të shtetit, përfshirë edhe ndërkombëtarë.

Në ceremoninë e diplomimit të kadetëve, janë ata të gjeneratës 2022, nga Akademia e Mbrojtjes- Qendrës për Studime Universitare të FSK-së “Wesley Clark”.


APR
Romay Lift