Korrje-shirjet në Gjakovë, fermerët të kënaqur
Islam Haxhiu /RTKlive
Fermerët në Gjakovë janë të kënaqur me rendimentet dhe cilësinë e grurit sivjet, por që ankohen se akoma nuk i kanë marrë subvencionet nga Ministria e Bujqësisë.
Në ditën e parë të korrje-shirjeve, fermeri Metë Halilaj nga Beci i Gjakovës duket shumë i kënaqur me prodhimin e grurit këtë vit. Krahas prodhimeve të tjera bujqësore, Halilaj thotë se ka të mbjellë mbi 45 hektarë grurë.
“Prodhimi i grurit është shumë i mirë, mesataren e kemi afër 5 tonshit, koha është e përshtatshme, vjet e kemi pas rendimentin e grurit rreth 4 ton, sivjet i afrohemi 5 tonshit, kështu që është mirë shumë”, thotë Metë Halilaj, fermer.
Edhe zyrtarët komunalë të Gjakovës janë shprehur të kënaqur me mbarëvajtjen e korrje-shirjeve, e po ashtu edhe me prodhimtarinë e grurit.
“Kemi filluar që nga data 27 të muajit të kaluar. Siç po shihet punët po ecin mbarë, fatmirësisht edhe moti po merr mirë edhe kemi rendiment mesatar, por kryesisht është mirë “, Gani Hajdari, drejtor i DBZHR.
Mirëpo, zyrtarët dhe fermerët gjakovarë thonë se janë të brengosur me vonesën e subvencioneve nga Ministria e Bujqësisë. Në komunën e Gjakovës sivjet pritet të korren rreth 2500 ha grurë,përderisa mbi 2000 hektarë tjerë janë të mbjellë me kulturën e misrit.























