Rasti “Stenta 1”, lirohen nga akuzat Agani e Shabani
RTK
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ferid Aganin dhe Gani Shabanin, ish-sekretar i kësaj ministrie.
Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të hënën nga gjykatësi Kujtim Krasniqi, i cili tha se nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale që u vihej në barrë.
Andaj, ai tha se në mungesë të provave, Agani dhe Shabani lirohen nga akuzat.
Në këtë rast, Ferid Agani dhe Gani Shabani akuzoheshin për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Gani Shabani ishin shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në prill të vitit 2019.
Agani ishte dënuar me dy vite e gjashtë muaj burgim, kurse Shabani me dy vite burgim. Por pas ankesave, ky aktgjykim ishte anuluar nga Gjykata e Apelit në dhjetor të vitit 2019 dhe lënda ishte kthyer në rigjykim në shkallë të parë.

Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.
Më 26 shkurt 2018, ky rast ishte veçuar në tri pjesë, ashtu që të akuzuarit Agani dhe Shabani gjykohen veçmas, kurse mbi 40 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si “Stenta 2”, ndërsa pronarë e mjekë të spitaleve private akuzohen në rastin “Stenta 3”.























