Ministri Sveçla mungoi në seancë si i akuzuar për sulm ndaj policisë
Jeton Musliu / RTKlive
Do të duhej të ishte në sallën e Gjykatës në Pallatin e Drejtësisë, por në atë kohë ishte në konferencë për media në Qeverinë e Kosovës. Bëhet fjalë për ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili për shkak të situatës së fundit në veri të vendit, nuk mundi të marrë pjesë në seancën ku është i akuzuar.
Kjo pasi serbët lokalë bllokuan magjistralet që çojnë në dy pika kufitare, shkaku i vendimit të Qeverisë për masën e reciprocitetit ndaj Serbisë për hyrje të shtetasve të saj në Kosovë.
E derisa në konferencë për media, ministri Sveçla përgëzoi dhe përshëndeti nga zemra pjesëtarët e policisë për punën e bërë në veri të vendit në mbrojtje të rendit dhe sigurisë, Prokuroria Themelore në Prishtinë e akuzon atë dhe disa të tjerë se në vitin 2013, gjatë protestave, hodhën gurë, ngjyrë, sfera të qelqit, shishe, mjete piroteknike në drejtim të pjesëtarëve të forcave të rendit, duke lënduar disa prej tyre.
Sveçla është i akuzuar së bashku edhe me Dardan Molliqajn, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj.
Shumë nga ta nuk morën gjithashtu pjesë në seancë, pa dhënë ndonjë arsye, prandaj gjykatësi kërkoi që ata të silen me detyrim.
Të gjithë akuzohen për veprime të dhunshme në protestën e vitit 2013.
Ndërkohë, njoftimi për mospjesëmarrje të Sveçlës në seancë, i është dërguar gjykatës me shkrim nga kabineti ministrit të Punëve të Brendshme.
Sipas aktakuzës, Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Xhelal Sveçla, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj po akuzohen se më 27 qershor 2013 në rrugën “Nëna Terezë” në Prishtinë, gjatë protestës me qëllim të dëmtimit të personave zyrtarë-pjesëtarëve të Policisë së Kosovës kanë kryer veprime të dhunshme huligane raportoi 'Betimi për Drejtësi'.
Gjithnjë sipas kësaj aktakuze, Sveçla dhe të akuzuarit e tjerë ngarkohen se gjatë kësaj proteste kanë hedhur gurë, ngjyrë, sfera të qelqit, shishe, mjete piroteknike në drejtim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ku si pasojë e këtyre veprimeve, lëndime të lehta trupore kanë pësuar policët-të dëmtuarit Rifat Geci, Halil Syla, Agim Xheli dhe Bashkim Hyseni.
Sipas prokurorisë, gjatë kësaj proteste janë shkaktuar edhe dëme materiale ku janë dëmtuar uniformat dhe pajisjet zyrtare të zyrtarëve policorë gjatë ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike e po ashtu i kanë dëmtuar dy vetura, pronë e Qeverisë së Kosovës dhe dy vetura pronë të Policisë së Kosovës, duke shkaktuar kështu pasoja të rënda.
(Marrë me shkurtime nga 'Betimi për Drejtësi'. Titulli dhe përpunimi nga Rtklive.com)























