Osmani reagon për zgjedhjen e Deliq si nënkryetar i Parlamentit të Serbisë
Foto: RTKLive
Kosovë

Osmani reagon për zgjedhjen e Deliq si nënkryetar i Parlamentit të Serbisë

J.Musliu/RTKlive

Parlamenti i Serbisë është konsoliduar dy ditë më parë, i dalë nga zgjedhjet e prillit. Mes shtatë nënkryetarëve, deputetët e këtij parlamenti votuan edhe Bozhidar deliq, një ish gjeneral i kohës së Sllobodan Millosheviqit, i cili komandoi trupat serbe, në Kosovë, në rajonin e të cilit vlerësohet se u vranë dhe masakruan 885 shqiptarë civilë.

Ndaj këtij zhvillimi në Serbi, ka reaguar në Twitter presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Në Kosovë, Saranda Bogujevci, një e mbijetuar e masakrave brutale të regjimit gjenocidal të Serbisë, shërben si nënkryetare e Parlamentit”, shkroi Osmani.

“Derisa, Parlamenti i Serbisë ka emëruar Bozhidar Deliqin, komandantin e brigadës që ka masakruar mijëra kosovarë, si nënkryetar”, ka shkruar Osmani.

Ish-komandanti I Brigadës së 549 të Ushtrisë së Jugosllavisë që akuzohen për krime lufte në Kosovë, Bozhidar Deliq ka marrë besimin e 197 deputetëve serbë për ta marrë pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë.

Deliq ishte paraqitur dëshmitar i mbrojtjes në seancat në Tribunalin në Hagë në rastin e Sllobodan Millosheviqit, si dhe në rastin e Vladimir Lazareviqit, i cili është i shpallur fajtor për krime lufte në Kosovë.

Deliq në zgjedhjet e fundit në Serbi ishte bartës i listës “NADA”, derisa vota pro mori nga deputetët që shumica prej tyre janë pjesë të partisë së Aleksandër Vuçiqit.

 


MË SHUME NGA Kosovë