Sulejman Gashi nderohet ‘post-mortem’ me medaljen Presidenciale të Meritave
Foto: Presidenca
Kosovë

Sulejman Gashi nderohet ‘post-mortem’ me medaljen Presidenciale të Meritave

B. Halimi / RTKlive

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ia ka dorëzuar sot familjes së gazetarit Sulejman Gashi Medaljen Presidenciale të Meritave, me të cilën ajo e ka dekoruar pas vdekjes së tij.

Në ceremoninë e organizuar sot, në prani të familjarëve dhe të miqve, Presidentja Osmani theksoi se medalja e ndarë për gazetarin tashmë të ndjerë, Sulejman Gashi, është shprehje e mirënjohjes shtetërore për kontributin e çmuar të cilin Gashi, si gazetar e aktivist shumëvjeçar e ka dhënë për dhjetëvjetësha të tërë për shpërndarjen gjithandej të së vërtetës së Kosovës, njofton zyra e presidencës.

Presidentja Osmani theksoi se Gashi ka qenë burim i së vërtetës për Kosovën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një afirmues i së drejtës së saj për liri.

“Ai ishte zëri i Kosovës. Ne sot po e institucionalizojmë kujtesën për të duke e dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave për kontributin shumëvjeçar në pasqyrimin e së vërtetës së Kosovës e për të në arenën ndërkombëtare”, ka theksuar Osmani.

Familjarët e Sulejman Gashit, por edhe bashkëpunëtorët e tij të pranishëm në ceremoni shprehën mirënjohje ndaj Presidentes Osmani për kujdesin që po tregon ndaj personaliteteve të cilat kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe e falënderuan atë për dekoratën të cilën Presidentja ia ka ndarë atij.

Sulejman Gashi për shumë vjet ishte korrospodent i RTK-së në Uashington.


APR