Kurti takim me Dua Lipën, e cilëson të pamatshëm kontributin për Kosovën
Foto: Zyra e Kryeministrit
Kosovë

Kurti takim me Dua Lipën, e cilëson të pamatshëm kontributin për Kosovën

RTKlive

Kryeministri Albin Kurti, priti sot në takim këngëtaren me famë botërore, Dua Lipa, e cila ka ardhur në Kosovë me rastin e edicionit të tretë me radhë të Festivalit Sunny Hill.

Siç njofton Zyra për Media e Kryeministrisë, Kurti e përgëzoi Duan për suksesin e saj fantastik dhe e vlerësoi të veçantë zërin, muzikën dhe performancat e saj në skenat botërore.
 
Ai e falënderoi për përfaqësimin dinjitoz dhe promovimin e vlerave artistike të Kosovës kudo në botë. “Kontributi që keni dhënë e po jepni për Kosovën është i pamatshëm”, tha kryeministri Kurti.  
Këngëtarja Dua Lipa e falënderoi kryeministrin për pritjen dhe ritheksoi angazhimin dhe përkushtimin e saj për promovimin e artistëve dhe talentëve të Kosovës, si dhe për liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Në takim ishte i pranishëm edhe babai i Duas, Dukagjin Lipa, me të cilin kryeministri bisedoi rreth mbarëvajtjes së Festivalit Sunny Hill, që përmbyllet sonte. 

Lipa tha se ky edicion i festivalit ka zgjuar interesim jashtëzakonisht të madh të të rinjve nga e gjithë bota.Ai tha se gjatë tri netëve të festivalit kanë qenë të pranishëm të rinj nga 60 shtete.  


MË SHUME NGA Kosovë