​MPB jep detaje për regjistrimin e automjeteve në RKS
Rtklive
Kosovë

​MPB jep detaje për regjistrimin e automjeteve në RKS

V.Thaçi/RTKLive

Ministria e Punëve të Brendshme, sqaron se regjistrimi i automjeteve të qytetarëve me targa RKS mund të bëhet në të gjitha Qendrat për Regjistrimin e Automjeteve, në komunën ku pronari e ka vendbanimin.

“Pyetje të shpeshta në lidhje me regjistrimin e mjeteve me targa ‘RKS’ të mjeteve që posedojnë targat ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’ dhe ‘DA’ apo ‘ĐA’. Në kuadër të fushatës për regjistrimin e mjeteve qytetarët kanë adresuar një numër të pyetjeve, për të cilat përgjigjet i gjeni si në vijim. Ftojmë të gjithë qytetarët, të shfrytëzojnë këtë mundësi nga data e fillimit të regjistrimit me 1 shtator 2022- 31 tetor 2022. Për çdo pyetje shtesë na shkruani në [email protected]”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në cilat qendra mund të bëhet regjistrimi?

Regjistrimi i mjeteve me targa RKS mund të bëhet në të gjitha Qendrat për Regjistrimin e Automjeteve, në komunën ku pronari e ka vendbanimin.

A lejohet regjistrimi i veturave me patentë shofer të lëshuar nga Serbia?

Po. Sipas UA Nr.03/2022, për regjistrimin e veturave me targa RKS nuk është i domosdoshëm patentë shoferi i Republikës së Kosovës, por vetëm kërkohet patentë shofer me afat të vlefshëm.

A lejohet regjistrimi i mjeteve të cilat kanë bërë vazhdimin e regjistrimit me këto targa pas datës 21 prill 2022?

Po. Mjetet të cilat janë pajisur për herë të parë me targa ilegale brenda periudhës 10 qershor 1999 – 21 prill 2022, por që kanë vazhduar regjistrimin me këto targa pas datës 21 prill 2022, mund të bëjnë regjistrimin e mjeteve me targa RKS.

A duhet të paguhen taksat doganore në rast të ndërrimit të pronarit pas regjistrimit të mjetit me targa RKS nga targat ilegale.

Jo. Në rast të ndërrimit të pronarit të mjetit që është regjistruar me traga RKS, pronari i ri nuk është i obliguar të paguajë taksat doganore.

A kërkohet Polica e Sigurimit e Republikës së Kosovës për regjistrimin e veturave me targa RKS?

Po. Për regjistrimin e veturave me targa RKS është e nevojshme të paraqitet Polica e Sigurimit e Republikës së Kosovës.

A duhet të paraqitet certifikata e rregullsisë teknike me rastin e regjistrimit të mjeteve me targa RKS.

“Certifikata e rregullsisë teknike duhet të paraqitet vetëm në rastet kur mjetet me targa ilegale nuk kanë certifikatë të regjistrimit me afat vlefshmërie. Në rastet kur mjetet kanë certifikatë të regjistrimit me afat vlefshmërie, duhet të paraqitet polica e sigurimit origjinale, në mënyrë që ata të lirohen nga kontrolla teknike”, njofton MPB.

A lejohet regjistrimi i mjeteve me targa RKS për personat të cilët posedojnë vetëm dokument identifikimi të lëshuar nga Serbia / apo që nuk kanë dokument identifikimi të Republikës së Kosovës?

Dokumenti i identifikimit të Republikës së Kosovës është i domosdoshëm për regjistrimin e mjeteve me targa RKS. Shtetasit e Republikës së Kosovës që nuk posedojnë letërnjoftim të Republikës së Kosovës mund të bëjnë kërkesë për të nxjerrë këtë dokument, i cili do të lëshohet në një afat kohor nga 3-5 ditë nga data e aplikimit.


MË SHUME NGA Kosovë