LV-ja kritikon komunën e Prishtinës për tenderin 12 milionë eurosh
Kosovë

LV-ja kritikon komunën e Prishtinës për tenderin 12 milionë eurosh

A. Bela/ RTKlive

Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE, sot mbajti konferencë për media në lidhje me tenderin 12 milionësh të Komunës së Prishtinës për konsulencë, si kulmim i keqqeverisjes për këta 8 muaj.

Asamblistja nga Partia “Guxo”, Triera Kasumi-Berisha, duke folur për projektin 12 milionësh për konsulencë tha se ky projekt Prishtinës i kushton sa 13% e buxhetit të përgjithshëm vjetor. Shumë kjo fiks sa është granti i qeverisë për kryeqytetin, pra 12 milionë e cila përkthyer në muaj i bie më shume se 300,000.00 euro e që rastisë të jetë fushë e njëjtë profesionale si ajo e kryetarit Rama.

“Ky tender që në fushatë u përmend sipërfaqësisht, ndërsa në Kuvend komunal as që u diskutua, planifikon të krijojë plane rregulluese të cilat veçse janë realizuar ndër vite”,  tha Kasumi-Berisha.

Ndërsa, shefi i Grupit të Asamblistëve Gëzim Sveçla, foli për një mori shkeljesh gjatë këtyre muajve dhe për paaftësinë e qeverisjes aktuale të kryetarit Rama.

Qentë endacak, mbeturinat, mungesa e ndriçimit publik, shërbime komunale jocilësore janë dukuri me të cilat ballafaqohen çdo ditë qytetarët e Prishtinës. Asnjë premtim i madh, kapital nuk ka filluar. Asnjë rrugë, asnjë platformë, asnjë lidhje e ndërlidhje nga ato që me pompozitet i prezantonte kryetari.

“Kryetari Rama ka filluar të ndjehet rehat në këtë parehati të qytetarëve. Në muajin mars e anulon një plan urbanistik të një lagjeje, ndërsa në korrik e sjellë të njëjtin plan në asamble për ta votuar sërish, pa e ndryshuar as edhe një shkronjë të vetme në të. Rasti tjetër kur bënë përurimin e një shkolle e cila ishte përuruar para 3 viteve dhe ku zhvillohej mësimi i rregullt qysh prej asaj kohe. Apo rasti i fundit kur nënshkruan marrëveshje me MCC e të njëjtën marrëveshje e kishte nënshkruar kryetari paraprak një vit me herët”, tha Sveçla.

Ndërsa në rastin e “Prishtina Parking” duket se kryetarit i ka humbur fuqia për ta menaxhuar. Deri sa kryetari deklaron publikisht se “është stopuar zgjerimi i ndërmarrjes në lagje të tjera të qytetit deri në përfundimin e Rregullores së re”, menaxhmenti vazhdon me punë për zgjerim pa u mërzitur çka thotë kryetari.

Tetë muaj kryetar, 2/3 e viti përfunduan e ne nuk e kemi parë planin e punës për vitin 2022. Nuk e kemi parë sepse nuk ka plan të punës. E nuk ka plan të punës, sepse nuk ka punë. Nuk ka punë, sepse nuk ka vizion.

Problemet po rriten e kryetari nuk po vepron. Heshtja para problemeve dhe injorimi i tyre krijon konsekuenca me dëme afatgjate, pëfundoi Sveçla.


MË SHUME NGA Kosovë