KOSTT-i konfirmon se reduktimet me rrymë do të mbesin në fuqi
Kosovë

KOSTT-i konfirmon se reduktimet me rrymë do të mbesin në fuqi

B. Halimi / RTKlive

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovë KOSTT ka konfirmuar se reduktimet e energjisë elektrike për qytetarët e vendit do të mbesin në fuqi deri në stabilizimin e situatës.

“Njoftohen qytetarët e vendit që sipas masave dhe procedurave operative për balancim të Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës në kushtet e pamjaftueshmërisë së furnizimit që parashihen me Kodin e Rrjetit, instruksionet për kufizim të furnizimit mbesin në fuqi deri në stabilizimin e situatës që do të thotë sigurimin e energjisë elektrike të nevojshme për mbulimin e konsumit nga operatorët përgjegjës në treg: Furnizuesi Publik (KESCO) dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (KEDS)”, thuhet në njoftimin e KOSTT-it.

Sa i përket programeve të kufizimit të konsumit ditor, sipas KOSTT-it, ato mund të dallojnë nga dita në ditë në varësi nga ngarkesa (konsumi) dhe nga energjia e siguruar nga palët përgjegjëse për të mbuluar konsumin e energjisë elektrike në vend.

KOSTT ka kërkuar nga qytetarët kursim të energjisë, në mënyrë që kjo situatë të tejkalohet më me lehtësi.

“Gjendja e krizës energjetike me të cilën po përballet Sistemi Elektroenergjetik i Kosovës e cila ndër të tjera është reflektim i krizës globale energjetike, do të përballohet më me lehtësi me mbështetjen edhe të të gjithë qytetarëve duke shfrytëzuar energjinë elektrike në mënyrë sa më racionale dhe duke kursyer aty ku është e mundur”, thuhet tutje në komunikatën e KOSTT-it.

KOSTT-i ka udhëzuar qytetarët që për oraret e kufizimeve konkrete t’i drejtohen KEDS-it.


MË SHUME NGA Kosovë