Në Mitrovicë, shkollat dhe administrata e komunës në grevë
Asdren Agushi/RTK/M.Miftari/RTKlive
(E plotësuar)Zyrtarët komunalë në Mitrovicë janë në grevë prej datës 25 gusht dhe të gjitha shërbimet janë ndërprerë përveç rasteve urgjente në sektorin e gjendjes civile, ku kemi aktivizuar edhe një e-kioskë për t’ju afruar shërbime qytetarëve, të cilët kanë nevojë për udhëtime dhe kanë nevojë për shërbime urgjente.
Kështu u shpreh për Info Plus Gëzim Stavileci, drejtor i Administratës së Përgjithshme, në Mitrovicë, i cili shtoi se sa i përket listës së grevistëve, Qeveria e Kosovës ka kërkuar listën e grevistëve, ne iu kemi përgjigjur se lista duhet drejtuar Këshillit Grevist.
Tutje Stavileci bëri të ditur se në Komunën e Mitrovicës nuk janë ekzekutuar pagat dhe kjo ka shkaktuar pakënaqësi të madhe te zyrtarët komunalë, meqë shumica prej tyre janë kredimarrës, duke shtuar se një padrejtësi e madhe u është bërë zyrtarëve komunalë, të cilët kanë qenë në pushim vjetor, gjegjësisht në pushim mjekësor.
Përveç kësaj, Stavileci tha se paga nuk u është ekzekutuar as stafit politik komunal.
Ai, më tej sqaroi se pavarësisht vendimit të Qeverisë së Kosovës për mosekzekutimin e pagave, punëtorët e administratës në Komunën ë Mitrovicës, si dhe arsimtarët, janë të vendosur ta vazhdojnë grevën.
Lidhur me mënyrën e vazhdimit të grevës, Stavileci tha se kjo i përket Këshillit Grevist.
Edhe pse në grevë të gjithë punëtorët e administratës në Komunën e Mitrovicës janë në vendet e punës, duke përfshirë këtu edhe stafin politik, tha për Info Plus Gëzim Stavileci, drejtor i Administratës së Përgjithshme, në Mitrovicë.
(E plotësuar) Në Gjilan shkollat në grevë, administrata punon
Në Gjilan, 24 shkolla fillore, 8 të mesme dhe 4 çerdhe, tash e disa ditë kanë grevë.
Gazetari i RTK-së nga ky qytet raportoi në emisionin “Info Plus” se në këtë komunë, në të gjitha shkollat ka grevë, përkundër mos ekzekutimit të pagave nga Ministria e Financave për shumë prej tyre.
Ndërkohë, përkundër kësaj, derisa në arsim ka grevë, administrata në Gjilan nuk e ka përkrahur atë. Në administratën komunale ka vazhduar puna si zakonisht.
Sikundër bëhet e ditur, nga gazetari i RTK-së Asdren Agushi, punëtorëve të administratës në Gjilan ende nuk u kanë dalë pagat, ngase janë në listën e ndëshkimit të pagave.























