Peci: Rahoveci, kryeqyteti i bujqësisë
RTKlive
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci mori pjesë në hapjen zyrtare të Festës së Vjeljes së Rrushit “Hardh Fest 2022” i cili filloi sot dhe do të zgjasë deri më 4 shtator.
Ky festival, i cili organizohet nga viti 2001, për arsye të situatës pandemike nuk është organizuar përgjatë dy viteve të fundit. Festivali si qëllim ka promovimin e sektorit të vreshtarisë dhe verëtarisë në rajonin e Rahovecit, si dhe turizmin rural në Kosovë.
Ministri Faton Peci, Rahovecin e quajti kryeqytet të bujqësisë për Kosovën dhe theksoi se që nga marrja e detyrës si ministër, Rahoveci ka qenë komuna të cilën ka rastisë ta vizitojë më së shpeshti.
“Banorët e kësaj zone shquhen për nga zellshmëria dhe dashuria që kanë për tokën e vreshtat, prandaj edhe sektori i verëtarisë është një ndër shembujt e suksesit. Verërat tona janë aq cilësore sa me lehtësi i gjen në dyqanet e restorante anë e mbanë vendeve të rajonit, Bashkimit Evropian e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka theksuar Peci, njofton ministria e Bujqësisë.
Gjithashtu, Peci tha se qëllimi i tij si ministër është që përveç hartimit të politikave që zhvillojnë sektorin e bujqësisë, njëherësh edhe të promovojë prodhimet vendore, punën e palodhshme të bujqve, vreshtarëve e verëtarëve vendorë.
“Në çdo vizitë zyrtare përkujdesem që homologëve të mi dhe të gjithë mysafirëve t’ua prezantoj sa më mirë verërat tona e njëherësh edhe t’ua dhuroj ato, si simbol i suksesit që zanafillën e ka nga toka jonë e vogël por e begatë”, tha tutjej ministri Peci.























