Bajrami: Me Kushtetutën e Kaçanikut, filloi epoka e shtetit të pavarur
BKT
Foto: RTKLive
Kosovë

Bajrami: Me Kushtetutën e Kaçanikut, filloi epoka e shtetit të pavarur

Pajtim Çuni/Radio Kosova

Sot u bënë 32 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Kaçanikut, e cila pasoi pas Deklaratës së 2 korrikut të vitit 1990. Presidentja Vjosa Osmani, thotë se me miratimin e këtij dokumenti, u vunë themelet e palëkundura të Kosovës së pavarur. E njohës të së drejtës kushtetuese, thonë se me 7 shtator, filloi krijimi i shtetit të pavarur e modern të Kosovës.

Sot, 32 vite më parë, në qytetin e Kaçanikut, në masa aspak të lehta, por me vullnet për bërjen e Kosovës shtet, përfaqësuesit e atëhershëm të Kuvendit, miratuan Kushtetutën e Kaçanikut. Këtë ngjarje të rëndësishme e ka kujtuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se Kushtetuta e Kaçanikut shënon aktin e parë në krijimin e rendit kushtetues të Kosovës dhe i fortifikon përpjekjet e brezave të tërë për shtet të pavarur.

“Përfaqësuesit e atëhershëm të Kuvendit, i dolën zot vendit dhe e përjetësuan në Kushtetutë vullnetin e qytetarëve të cilët i përfaqësonin, duke e vulosur përfundimisht përpjekjen për liri, demokraci e shtet të pavarur. Ata e sfiduan një shtet e një regjim të egër, duke i vënë themelet e palëkundura  të Kosovës së pavarur”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ndërsa profesori universitar i së Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami, në një prononcim për Radio Kosovën thotë se 7 shtatori i 90-ës është datë historike, ngase me miratimin e Kushtetutës së Kaçanikut, filloi epoka e shtet ndërtimit të Kosovës.

 “Nga miratimi i kësaj kushtetute ka filluar projekti i Republikës së Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur. Kemi pasur një bashkim të kombit rreth këtij projekti dhe se në kushte okupimi është tentuar që të funksionalizohen disa segmente të shtetit. Mirëpo, pa luftën e UÇK-së dhe intervenimin e NATO-së, ishte krejtësisht i pamundur çlirimi dhe funksionimi i plotë i shteti të Kosovës”, tha ai.

Profesor Bajrami, që ishte ndër hartuesit e Kushtetutës së 9 prillit të 2008-të, të shtetit të pavarur të Kosovës, e vlerëson si të mirë e moderne Kushtetuta e Kaçanikut.

 “Ka qenë një kushtetutë moderne, e hartuar në bazë të kushtetutave më të avancuara evropiane. Ka përcaktuar Kosovën një shtet liberal e demokratik. E njëjta nuk ka përmbajtur kompromiset që i ka kushtetuta aktuale, të cilat kanë dalë nga marrëveshja ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës”, tha Bajrami për Radio Kosovën.

Kushtetuta e Kaçanikut u miratua pas deklaratës së pavarësisë të 2 korrikut 1990.

 

 


MË SHUME NGA Kosovë