“Braktisja e shumëfishtë", të enjten në orën 21:50 në RTK1|Video
BKT
Foto: RTKLive
Kosovë

“Braktisja e shumëfishtë", të enjten në orën 21:50 në RTK1|Video

RTKlive

Jeta e fëmijëve pa përkujdesje prindërore në Kosovë, është e trishtë. E më e trishtë se jeta, është vetë fati i tyre.

Kjo pasi me ligjin aktual për shërbime sociale dhe familjare në Kosovë, forma e mbrojtjes së fëmijëve të braktisur dhe pa përkujdesje prindërore e që janë  me aftësi të kufizuara, është thuajse gjysmake.

Ata  mbështeten deri në moshën 18 vjeç, por pas kësaj kohe,  vendosen në qëndrim të përhershëm në shtëpi me bazë në komunitet ose në Institutin Special në Shtime.

 E krejt kjo,  pavarësisht shkallës së aftësisë së kufizuar fizike apo mendore që ata mund të kenë.

Në anën tjetër familjet strehuese nuk pajtohen me përcaktimin e moshës të këtyre fëmijëve për t’ia marrë sapo fëmija t’i mbushë 18 vjeç.

Në këtë mënyrë, Redaksia e Dokumentarëve te RTK-së, me Gazetaren Trëndelina  Ramadani, në kudër të  “Gjurmë” sjell dokumentarin “Braktisja e Shumëfishtë”, që  trajton këtë temë dhe ku për protagonistë ka familje strehuese, fëmijë të braktisur e zyrtarë institucionesh.

Rrëfimet e  këtyre familjeve dhe vetë fëmijëve janë të rënda dhe një lloj apeli për shtetin që legjislacioni aktual të ndryshojë.

Në Kosovë, që nga viti 1999 e deri në vitin 2022, sipas statistikave të Ministrisë së Financave, Transfereve dhe Punës, janë braktisur 1093 fëmijë, nga ta 70 me aftësi të kufizuara dhe probleme të tjera shëndetësore.

Prej këtij numri , 63 kanë gjetur familje adaptuese jashtë vendit, ndërsa të tjerët vazhdojnë të sfidojnë fatin krahas sfidave personale, në kërkim të kujdesit minimal sepse  kujdesi I përhershëm për ta, mbetët ëndërr e largët.

Dokumentari  “Braktisja e Shumëfishtë” transmetohet të enjten me 8 shtator në orën 21:50 në RTK1.


MË SHUME NGA Kosovë