Personat me nevoja të veçanta në Podujevë përballen me vështirësi - Video
Ahmet Maholli / RTK
Personat me aftësi të kufizuara në Podujevë po kërkojnë qasje më të lehtë nëpër institucione publike dhe në qytet.
Ata kanë vështirësi që edhe në institucionin ku punojnë. Komuna premton zgjidhje, por ajo nuk do të ndodhë deri vitin e ardhshëm.
Idriz Hoxha nga komuna e Podujevës me nevoja të veçanta ende nuk ka lehtësira për qasje në rrugë. Ai thotë se çdo ditë përballet me vështirësi me të dalë në qytet, pasi që komuna ende nuk iu ka siguruar vendparkime për këtë kategori të shoqërisë.
“Një prej çështjeve që është delikate, është ajo e shenjave të komunikacionit për personat me aftësi të kufizuara, në komunën tonë, ka më shumë se një vit, asnjë shenjë për ta parkuar automjetin, edhe ne të Handikosit jemi në hall shumë të madh se s’kemi ku ta parkojmë kombin”, ka thënë Idriz Hoxha, përgjegjës i Handikosit në Podujevë.
Hoxha thotë se edhe nëpër institucione publike nuk kanë qasje të lehtësuar, pasi objektet janë të papërshtatshme.
“Për pleq dhe ata me karroca shancë s’kanë me hy, ne jemi që një vit në këtë objekt kemi shumë vështirësi, si në banjo dhe kudo tjetër, kemi bërë kërkesë, kanë thënë se do t’i kryejnë ende s’ka përmirësim”, ka shtuar Hoxha.
Kurse qytetari Gani Ahmeti, thotë se janë të prekur që nuk po munden të ju dalin në ndihmë personave me aftësi të kufizuara
“Unë jam duke e përcjellë këtë, kur vjen s’ka ku me lënë veturën që i bartë ata persona, edhe ne jemi të prekur se s’po mund tu dalim në ndihmë sa duhet”, ka thënë Ahmeti.
Zyrtarët e Podujevës e pranojnë se nuk ka pasur shenjëzim për ta, duke u arsyetuar me mungesën e një kontrate.
“Tash jemi në përgatitjen e një kontrate me të cilën e kemi paraparë që të bëjmë edhe shenjëzimet e vendparkingjeve për personat me aftësi të veçanta por edhe për të gjitha nevojat që ata i kanë”, ka thënë Bahri Selimi, drejtori i Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim-Podujevë.
Po ashtu, Selimi premton se do t’u krijohen kushte të nevojshme, duke i zhvendosur në një objekt më të përshtatshëm.
“Ne kemi menduar se do t’i heqim nga ty, sa më shpejt sepse janë përkohësisht, dhe në vendin ku ata do të vendosen sigurisht se do ta kenë qasjen e tyre ashtu siç e kërkojnë dhe ashtu siç kërkohet edhe me ligj për këta persona”, ka shtuar Selimi.
Të gjitha këto lehtësira për personat si Idriz Hoxha zyrtarët komunalë thonë se do të fillojnë të realizohen vitin që vjen.























