Braktisja e shumëfishtë e fëmijëve |Video
BKT
Kosovë

Braktisja e shumëfishtë e fëmijëve |Video

Trëndelina Ramadani / RTK

Me ligjin aktual për shërbime sociale dhe familjare në Kosovë, forma e mbrojtjes së fëmijëve të braktisur dhe pa përkujdesje prindërore me aftësi të kufizuara mbështeten deri në moshën 18 vjeçare, pas kësaj moshe ata vendosen në qëndrim të përhershëm në shtëpi me bazë në komunitet ose në Institutin Special në Shtime, pavarësisht shkallës së aftësisë së kufizuar.

Në anën tjetër familjet strehuese nuk pajtohen me përcaktimin e moshës të këtyre fëmijëve për t’ia marrë sapo ti mbushin 18 vjet.

Ymrie Selmani, familje strehuese, thotë se është në gjendje të marrë fëmijë por që nuk na lejojnë me i mbajtë për gjithmonë.

Derisa fëmijët me aftësi të kufizuara janë në strehim familjarë mbështeten edhe nga Organizata për Fëmijët pa kujdes Prindërorë.

Kurse Sebahate Limani Gjymshiti, psikologe në OFAP, thotë se në momentin që kërkohet ndihma jonë ne shkojmë e vlerësojmë.

“Ne si ekip jemi multidiciplinarë jemi psikolog sociolog dhe pedagog varësisht prej moshës  gjinisë ndikojnë të gjitha, në momentin që kërkohet ndihma na shkojmë dhe e vlerësojmë dhe mundohemi ta fuqizojmë për deri sa është në strehim familjarë”, tha Gjymshiti.

Institucionet përgjegjëse thonë se nuk kanë të tjera mundësi sepse ligji aktual I obligon që fëmijët e braktisur dhe pa përkujdesje prindërore me aftësi të kufizuara, pas moshës 18 vjeçare t'iu merren familjeve strehuese dhe t'iu ndërpritet ndihma financiare prej 350 eurove në muaj për fëmijë.

E Vebi Mujku, drejtor i Qendrës për punë Sociale Prishtinë, thotë se janë në një situatë të rëndë sepse familjet strehuese vazhdojnë të kërkojnë që të kujdesen për këta fëmijë, ligji ende nuk ka kaluar prandaj së fundi kanë bërë një apel që sa më shpejtë të kalojë ligji për shërbime sociale dhe familjare dhe të ju hapet rrugë.

 “Është e dhimbshme nëse një procedurë nuk mund të kalohet për shkak të barrierave legjislative, kur e dimë se kuvendi mund t’i kalojë këto ligje me prioritet kur është në pyetje interesi i fëmijëve, sepse ata fëmijë na takojnë të gjithë neve edhe deputetëve edhe neve edhe gjithë popullatës”, ka shtuar Mujku.

Fëmijët e braktisur me aftësi të kufizuara, në shumicën e rasteve adoptohen jashtë vendit, kjo për shkak se familjet në Kosovë hezitojnë të adoptojnë këtë kategori, prandaj janë disa raste që fëmijët e braktisur me aftësi të kufizuara rriten në familje strehuese dhe vazhdojnë jetën deri në fund në institucione të shtetit.

 “Kjo është një brengë dhe një shqetësim për secilin që merret me trajtimin e këtyre personave pasi që kthimi nga një ambient familjarë në ambiente rezidenciale është jo e mirë për shkak se përkujdesja në familje është tjetër atë kënaqësi që afron familja është e vështirë të ofrohet në institucione mirëpo ne e kemi obligim dhe nëse një rast kërkohet të vendoset ne e kemi obligim ta pranojmë dhe t’i japim shërbimet e nevojshme”, ka thënë Xhemajl Dugolli, drejtor i Institutit Special  në Shtime.

Në Kosovë që nga viti 1999 e deri në vitin 2022, sipas statistikave të Ministrisë së Financave, Transfereve dhe Punës janë braktisur 1093 fëmijë, nga ta 70 me aftësi të kufizuara dhe problem të tjera shëndetësore. Prej këtij numri 63 kanë gjetur adoptim jashtë vendit, ndërsa të tjerët vazhdojnë të sfidojnë fatin krahas sfidave personale në kërkim të kujdesit minimal kur kujdesi i përhershëm mbetët ëndërr e largët.

Makbule Koci, zyrtare e lartë në Ministrinë e Financave Punës dhe Transfereve, ka treguar se pesë fëmijë me aftësi të kufizuara janë në strehim familjarë, një është në shtëpinë e fëmijëve në Shtime, ndërkaq fëmijë të braktisur që kanë qenë në sistem të mbrojtjes dhe që kanë arritur moshën madhore janë 7 në kuadër të shtëpisë së fëmijës në Shtime në kuadër të Institutit Special në Shtime si dhe në shtëpitë me bazë në komunitet .


MË SHUME NGA Kosovë