KMDLNJ apel Qeverisë e SBASHK-ut: Gjeni zgjidhje për grevën
J.Musliu/RTKlive
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar lidhur me grevën në arsim dhe administratë publike, të thirrur nga BSPK dhe SBASHK-u.
KMDLNJ deklaron se që nga data 25 shtatori, 320 mijë nxënësve të të gjitha niveleve u mohohet e drejta elementare e njeriut, e drejta për shkollim e që sipas ligjeve në fuqi për nxënësit e arsimit fillor është i detyrueshëm.
“Është ky viti i katërt që viti shkollor fillon me vonesë për shkak të grevave që organizohen nga SBASHK që kërkojnë kushte më të mira për mësimdhënësit”, deklaron KMDLNJ, ku sipas këshillit, për dallim nga grevat e mëparshme, greva e fundit ishte paralajmëruar shumë më herët dhe kërkesa e SBASHK-ut ishte që të gjithë mësimdhënësit të marrin 100 euro shtesë.
Pasi sqaron situatën kur Qeveria ka ndarë nga 50 euro për mësimdhënësit dhe fyerjet që janë duke iu drejtuar kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, KMDLNj deklaron se greva mbetet vetëm si zgjidhje e skajshme kur shpenzohen të gjitha mundësitë për arritje të një marrëveshjeje.
Në këtë situatë, KMDLNj kërkon që kryeministri Kurti të takohet me kryetarin e SBASHK dhe Këshillin grevist në përpjekje që të gjendet një zgjidhje, e pranuar nga të dy palët.
“SBASHK duhet ta ketë të qartë se, nëse paguhen edhe për ditët e munguara shkaku i grevës, orët e humbura duhet të kompensohen. KMDLNj është fuqishëm kundër vendimit diferencues që pagesa të bëhet në bazë të listave ku grevistët do të përjashtoheshin nga pagesa”.
KMDLNJ deklaron se në këtë situatë ku fëmijët kanë mbetur në shtëpi dhe palët nuk tentojnë të gjejnë zgjidhje, atëherë të dyja palët do të marrin përgjegjësi për shkelje të rënda dhe serioze të drejtave të njeriut për një arsim cilësor dhe të domosdoshëm.























