Kryeministri Kurti pret nesër në takim Këshillin Grevist
Jeton Musliu/ RTKlive
Në javën e tretë të grevës në arsim dhe administratë publike, diçka duket se po lëvizë drejt gjetjes së një zgjidhjeje për grevën.
Një kërkesë e Këshillit Grevist të BSPK-së, për takim e dialog me kryeministrin Albin Kurti, për herë të dytë, tashmë do të realizohet. Është konfirmuar nga Qeveria e Kosovës për RTKlive se ky takim do të mbahet të martën (nesër) paradite.
“Po, nesër në mëngjes do të ketë një takim ndërmjet Këshillit Grevist dhe Qeverisë”, konfirmon Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës për RTKlive, por pa specifikuar orën e saktë.
Në fakt, kryeministri Kurti, mbrëmjen e së shtunës priti në një takim kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykolli, mirëpo nuk pati ndonjë rezultat.
Kjo bëri që mësimi në shkolla të mos fillojë as me 12 shtator, edhe pse do të duhej të niste me 1 shtator.
Greva ka nisur me 25 gusht, kur BSPK, duke përfshirë edhe SBASHK-un, ka hyrë në grevë. Kërkesa e tyre është ndarja e 100 eurove për të gjithë punëtorët deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga.
Kryeministri deklaroi ditë më parë se në javën e dytë të shtatorit, ky projektligj do të hidhet në diskutim publik, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.























