S’ka marrëveshje Kurti-Këshilli Grevist, greva vazhdon
BKT
Foto: Valjeta Shala/RTK
Kosovë

S’ka marrëveshje Kurti-Këshilli Grevist, greva vazhdon

Jeton Musliu/RTKlive

(Plotësuar: 10:05) Përfundoi takimi mes kryeministrit Albin Kurti e Këshillit Grevist.

Rrahman Jasharaj nga Këshilli Grevist tha se takimi ishte përmbajtësor, por nuk ka ndonjë ndryshim.

Ai tha se marrëveshje nuk ka dhe se të dy palët paraqiten qëndrimet e tyre.

Jasharaj tha se në këtë situatë nuk ka arritje, por e mira është se ka filluar dialogu.

Ai tha se beson se kryeministri me stafin e tij, do ta analizojnë situatën.

“Uroj që ky dialog të fillojë por marrëveshje nuk ka”, tha Jasharaj.

Në takim ishin të pranishëm përveç kryeministrit Kurti, edhe ministra e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe ai i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Vazhdon takimi Kurti- Këshilli Grevist

(Plotësuar: Ora 09:55) Edhe më tej po vazhdon takimi mes kryeministrit Albin Kurti e Këshillit Grevist, kryesuar nga Rrahman Jasharaj, kryetar i Këshillit Grevist.

Takimi që ka nisur rreth orës 08:30, po mbahet në Qeverinë e Kosovës, në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje për ndërprerjen e grevës në arsim dhe adniministratë publike.

Mediat vazhdojnë të presin mbarimin e takimit për të kuptuar nëse është arritur ndonjë marrëveshje.

Ndërkohë, në orën 11:00, është njoftuar se kryeministri Kurti bashkë me ministrin e Financave e Transfereve, Hekuran Murati dhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, do të mbajnë një konferencë për media. 

Arsyet e kësaj konference nuk janë bërë të ditura.

Këshilli Grevist hyn në Qeveri për takim me kryeministrin Kurti

(Plotesuar: Ora 08:35) Këshilli Grevist tashmë ka mbërritur në kryeministri.

I prirë nga kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, anëtarët e këtij këshilli do të takohen me kryeministrin Albin Kurti.

Takimi ndodhë derisa vendi ka hyrë në javën e tretë të grevës në arsim dhe administratë publike.

Këshilli Grevist sot në takim me kryeministrin Kurti

Një kërkesë e Këshillit Grevist të BSPK-së, për takim e dialog me kryeministrin Albin Kurti, për herë të dytë, sot do të realizohet.

Është konfirmuar nga Qeveria e Kosovës për RTKlive se një takim i tillë do të mbahet sot (e martë) në orët e para të mëngjesit.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, tha për RTKlive, se takimi në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje për grevën me kryeministrit Kurti dhe Këshillit Grevist, do të mbahet të martën në mëngjes, por ai nuk specifikoi orën e saktë.

Kryeministri Kurti, të shtunën e kaluar, priti në një takim kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykolli, mirëpo nuk pati ndonjë rezultat.

Kjo bëri që mësimi në shkolla të mos fillojë as me 12 shtator, edhe pse do të duhej të niste  me 1 shtator.

Greva ka nisur me 25 gusht, kur BSPK, duke përfshirë edhe SBASHK-un, ka hyrë në grevë. Kërkesa e tyre është ndarja e 100 eurove për të gjithë punëtorët deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga.

Kryeministri deklaroi ditë më parë se në javën e dytë  të shtatorit, ky projektligj do të hidhet në diskutim publik, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

 


MË SHUME NGA Kosovë