KOMF: Në dialog për fillimin e mësimit të përfshihen fëmijët e prindërit
E.Hoti/RTKlive
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), i cili përfaqëson 34 organizata jo qeveritare, i ka dërguar Qeverisë së Kosovës kërkesën që në kuadër të dialogut për fillimin e mësimit të përfshihen të gjitha palët, sidomos fëmijët dhe prindërit, të cilët sipas tyre janë të dëmtuar drejtpërdrejtë nga ndërprerja e mësimit.
KOMF konsideron që qasja e bisedimeve vetëm nga dy palët (Qeveri dhe SBASHK) po anashkalon dhe harron interesin më të mirë të fëmijëve, të drejtën për arsim dhe dëmet që tashmë janë shkaktuar tek fëmijët.
“Një dialog me përfshirjen e fëmijëve, prindërve dhe të palëve të tjera, do të siguronte që interesi më i mirë i fëmijës të jetë konsideratë parësore përgjatë gjithë procesit”, thuhet në njoftim.
KOMF propozon që në këtë dialog të përbashkët, Qeveria të përfshijë akterët si më poshtë:
Përfaqësues nga Qeveria e Republikës se Kosovës
Përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit
Përfaqësues nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës
Përfaqësues nga Këshilli i Nxënësve të Kosovës
Përfaqësues nga Këshilli i Prindërve të Kosovës
Përfaqësues nga Këshilli i Mësimdhënësve
Përfaqësues nga Kolegjiumi i Drejtorëve të Shkollave dhe Kopshteve
Institucioni i Avokatit te Popullit
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve
KOMF kërkon thirrjen e një takimi urgjent me përfshirjen e të gjitha palëve.
Sipas KOMF-it kjo përfshirje do të siguronte transparencë në bisedime, të dëgjohen shqetësimet e të gjitha palëve dhe të gjinden zgjidhjet më të mira e të qëndrueshme për të gjithë, e në veçanti për fëmijët.
“Mohimi i arsimit është shkelje e të drejtës themelore të fëmijës, e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijës.
KOMF konsideron që ndërprerjet e vazhdueshme të procesit arsimor kanë dëmtuar dhe po dëmtojnë mësim-nxënien e fëmijëve, do të lënë pasoja domethënëse në zhvillimin e fëmijëve dhe do të zbehin autoritetin e shkollës si institucion i dijes”, thuhet në njoftim.























