Brenda ditës, Hysni Gucati sillet në Kosovë dhe kthehet në Hagë
Jeton Musliu/RTKlive
Brenda tre muajve, ish kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka ardhur sërish në Kosovë. Ai ka mbërritur sot dhe po sot do të kthehet drejt Hagës.
Sikurse edhe në rastet e kaluara, urgjenca në çështje familjare ka bërë që Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, t’i japin leje për të vizituar nënën e tij e cila vuan nga mushkëritë.
RTKlive e ka konfirmuar se Gucati ka ardhur sot në Kosovë dhe nga aeroporti, është dërguar direkt qendrën e paraburgimit të EULEX-it në Fushë Kosovë.
Prej aty, më pas është transportuar në repartin e Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku ndodhet e shtrirë nëna e tij e cila vuan nga problemet në mushkëri.
Sikurse edhe herëve të kaluara, ai është shoqëruar nga forca të shumta të Njësisë Speciale të EULEX-it.
Pas vizitës në QKUK, Gucati është transferuar sërish në qendrën e paraburgimit të EULEX-it në Fushë Kosovë, ku është duke takuar familjarët e tij të ngushtë, gruan, fëmijët e motrat.
Më pas , rreth orës 17:00, Gucati do të transferohet sërish drejt Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

(Foto nga arkivi, nga vizita e Gucatit me 3 korrik 2022 në Kosovë)
Një vizitë të tillë, Gucati e ka realizuar edhe në muajin korrik të këtij viti.
Me 3 korrik ai kishte qëndruar në Kosovë për arsye të njëjta, kurse para disa muajsh kishte ardhur për shkak të vdekjes së babait.
Avdullah Gucati, babai i Hysni Gucatit ka vdekur me 27 maj 2022.
Ish-kreu i veteranëve, Hysni Gucati dhe zëvendësi i tij Nasim Haradinaj u dënuan nga Specialja me nga 4 vite e gjysmë burg dhe 100 euro gjobë. Ky aktgjykim është apeluar në shkallët tjera të Dhomave të Specializuara, por vendim ende nuk është marrë.























