I gjithë shërbimi në komuna përfundon në E-Kioskë|Video
Valjeta Shala RTK
Përveç në arsim, greva po vazhdon edhe nëpër komunat e Kosovës. Në Prishtinë në mungesë të shërbimeve, qytetarët po e shfrytëzojnë kioskun elektronik për nxjerrjen e certifikatave, ndërsa në shumë komuna nuk e kanë këtë mundësi. Edhe në administratë nuk ka shenja që greva po përfundon.
Marrja e shërbimet elektronike përmes 'E-kiosk’, tashmë është bërë pothuajse si mundësi e vetme për banorët e kryeqytetit, edhe pse në shumë komuna mungon edhe kjo mundësi.
Drejtori i administratës publike në Prishtinë, Bersant Beka, thotë se kjo komune po mundohet t’u bëjë zgjidhje qytetarëve, pasi që greva po vazhdon në administratë.
"Ndihmë të madhe na kanë dhënë edhe shërbimi i-kioska të cilat lëshojnë disa certifikata, ndërsa certifikatat të cilat lëshohen nga zyrtaret e gjendjes civile siç janë certifikata e bashkësisë familjare është problem. Por në takime me sindikata në komunë të Prishtinës qe janë në grevë, jemi munduar të bëjmë një zgjidhje sidomos për ata që kanë termin në ambasada", tha për RTK, Bersant Beka- drejtor i administratës në Prishtinë.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha se nga kjo situatë po pësojnë komunat dhe qytetarët ndaj shpreson në një zgjidhje sa më të shpejtë.
“Të gjithë kryetaret një zëri kërkojnë që niveli qendror me sindikatat të ulet e të dialogojnë në mënyrë që ta gjejnë zgjidhjen. Komunat janë vetëm duke pësuar nga ky problem dhe qytetarët nuk po mund të marrin shërbimet që komunat i ofrojnë", tha për RTK Sazan Ibrahimi -drejtor Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Ndryshe, që nga 25 gushti, Kosova është duke u përballur me greva si arsim ashtu edhe administratë, derisa ende nuk dihet se kur do dilet nga kjo gjendje.























