FSK përfundon me sukses stërvitjen “Saber Junction 2022” në Gjermani
Rtklive
Foto: Armend Mehaj/ Facebook
Kosovë

FSK përfundon me sukses stërvitjen “Saber Junction 2022” në Gjermani

E/Hoti/RTKlive

Kontingjenti i FSK-së ka përfunduar me sukses pjesëmarrjen në stërvitjen e njohur shumëkombëshe "Saber Junction 2022" e mbajtur në Zonën e stërvitjeve ushtarake të forcave amerikane Hohenfels në Gjermani.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i mbrojtjes, Armend Mehaj. Ai ka thënë se kontingjenti i FSK-së, së bashku me 4400 trupa ushtarake të forcave amerikane si dhe aleatëve dhe partnerëve të saj, me sukses kanë ekzekutuar operacione sulmuese dhe mbrojtëse gjatë stërvitjes shumëkombëshe së përvitshme “Saber Junction 2022”.

“Në Qendrën e Përbashkët Shumëkombëshe të Gatishmërisë të Komandës së Trajnimit të Ushtrisë së 7-të  të Forcave Amerikane, si pjesë e planeve të stërvitjes së Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë, kjo stërvitje mbahet për të vlerësuar gatishmërinë e njësive me bazë evropiane, si Brigada e 173-të Ajrore "Sky Soldiers", për të ekzekutuar, të unifikuar operacionet tokësore në një mjedis të përbashkët, të kombinuar me vendet aleate dhe partnere pjesëmarrëse”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Mehaj ka thënë se Komanda e 7-të e Stërvitjes së Ushtrisë  Amerikane dhe qendra e saj e trajnimit luftarak, Qendra e Përbashkët Shumëkombëshe e Gatishmërisë, janë të pozicionuara në mënyrë unike në Evropë për të pritur në mënyrë rutinore këto lloje të stërvitjeve shumëkombëshe gjatë gjithë vitit për të ndërtuar gatishmërinë e ushtrive dhe kombeve partnere.

“Stërvitja “Saber Junction’2022” promovon stabilitetin dhe sigurinë rajonale, forcon aftësitë e partnerëve, mundëson SHBA-së të vendosë pajisjet më moderne për të gjitha misionet dhe ndërton ndërveprim dhe bashkëpunim midis aleatëve dhe partnerëve të NATO-s”, ka shkruar tutje Mehaj.


MË SHUME NGA Kosovë