Paralajmërohen vërshime në disa zona të Kosovës
Foto: RTKLive
Kosovë

Paralajmërohen vërshime në disa zona të Kosovës

Majlinda Doda /Radio Kosova

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar vërshime në disa komuna të Dukagjinit, e i cili  është përcjellur në institucionet relevante në nivel komunal, për të qenë në gjendje gatishmërie. Kështu  thotë për Radio Kosovën,  Nehat Koqinaj nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave.

Në disa zona të Kosovës janë paralajmëruar vërshime, për shkak të të reshurave të shiut që pritet të mbajnë këto ditë. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, në rajonin e Dukagjinit si në :Gjakovë, Junik, Deçan, Pejë, Klinë, Malishevë dhe Rahovec, pastaj pjesa qendrore dhe verilindore e vendit, mund të krijohen vërshime të shpejta, të cilat edhe mund të shkaktojnë vështirësi dhe probleme, si në rrëshqitje të dheut, mbyllje të sistemit të kanalizimeve, edhe vështirësi në qarkullim.

E për këtë, nivelet komunale, kanë ngritur gatishmërinë, për t’u përballur  me këtë situatë. Këtë e thotë për Radio Kosovën Nehat Koqinaj, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave.

“Paralajmërimi i IHMK-së, është përcjell menjëherë gjatë orëve të mëngjesit të ditës së sotshme në institucionet relevante në nivel komunal, Drejtoritë përkatëse për Mbrojte dhe Shërbim, dhe Njësitë profesionale të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, që nënkupton më tutje se ato duhet të ndërmarrin të gjitha masat, të mobilizojnë kapacitetin human dhe teknikë për t’u përballur me një situatë të pritshme nga përmbytjet në zonat të caktuara”, thotë Koqinaj.

Ditë më parë, nga reshjet e shiut, vësrhimet kanë përmbytur komunën e Gjakovës dhe atë të Rahovecit, duke shkaktuar probleme të mëdha, në shtëpi e kultura bujqësore.


MË SHUME NGA Kosovë