Deri të shtunën, mësohet nëse mësimi fillon ose jo të hënën |Video
Foto: RTKLive
Kosovë

Deri të shtunën, mësohet nëse mësimi fillon ose jo të hënën |Video

Jeton Musliu/RTKlive

(Plotësuar) Brenda dy deri në tre ditë, pritet që anëtarësia e Sindikatës se Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, të deklarohet për propozimin e Këshillit Grevist, nëse janë për pezullim ose jo të grevës në arsim.

Hanife Salihu, anëtare e Këshillit Grevist në SBASHK, deklaroi në magazinën informative “Info Plus” në RTK se duke u bazuar në letrën e drejtuar sot anëtarësisë, do të vendoset mbi bazën e deklarimit të tyre se si do të ecët më tej.

Ajo tha se propozimi është që mësimi të nisë me 3 tetor e të vazhdojë deri në janar dhe në ndërkohë, Qeveria të reflektojë e të gjendet një zgjidhje.

“Por presim se çfarë do të vendos anëtarësia, nëse janë për këtë pezullim apo ndonjë formë tjetër të grevës”,tha Salihu për RTK.

Në një komunikatë për media, SBASHK-u thotë se kërkimi i mendimit të anëtarësisë për pezullim të grevës vjen për shkak të mungesës së dialogut social.

Si pasojë e grevave që kanë nisur në sektorin e arsimit më 25 gusht, mbi 300.000 nxënës kanë mbetur pa mësim.

Arsyeja e grevës dhe kërkesa kryesore e sindikatave të arsimit drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove në muaj për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.

Sipas sindikalistëve të arsimit, kërkesa e tyre për 100 euro shtesë është e bazuar, për shkak të rritjes së inflacionit.

SBASHK pyet grevistët: A fillojmë mësimin nga 3 tetori deri në janar?

Me një letër të hapur, Këshilli Grevist i SBASHK-ut, u është drejtuar të gjithë mësimdhënësve të Kosovës. Në këtë letër, ky Këshill deklaron se në ditët e sotme, mësimdhënësit janë nëpërkëmbur.

Pasi i i bëhet një rikapitulim kontributit të dhënë gjatë viteve të 90-ta, Këshilli Grevist deklaron se që nga paslufta, përgjatë muajit të kaluar, është hera e parë që mësimdhënësit e përjetuan të njëjtën situatë.

Më tej në këtë letër, Këshilli Grevist deklaron se Qeveria nuk e ka prioritet zhvillimin e arsimit përmes angazhimit cilësor dhe të dinjitetshëm të mësimdhënësve.

Këshilli  rikujton hapat dhe përpjekjet për dialog me Qeverinë për kërkesat legjitime, të bazuara në ligj, ardhjen  drejtoreshës së përgjithshme të Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE) e mbështetjes së marrë.

“Por  Kurti dhe qeveria vazhdoi të dëshmojë se nuk do të zgjidhë kërkesat e grevistëve”.

“ Duke u nisur nga kjo, Këshilli Grevist i SBASHK-ut bazuar në kontratën kolektive dhe sipas ligjit për grevën, e duke e analizuar ecurinë e grevës deri më tash, kërkon mendimin e anëtarësisë greviste që nga çerdhet e deri në universitete, lidhur me idenë për pezullimin e grevës më së largu deri në janar 2023 dhe që grevistët t'i rikthehen mësimit që nga data 3 tetor 2022”.

Më tej në letër, shkruan se SBAShK do t’i vazhdojë orvatjet që mësimdhënësve t'iu rikthehet dinjiteti përmes dialogut social me qeverinë ashtu që të përmbushen kushtet themelore.

Këto kushte, sipas Këshillit Grevist të SBASHK-ut janë

mbështetja shtesë e pagës deri në zbatimin e Ligjit për Pagat dhe sipas rritjes ekonomike, përfshirë shkallën e inflacionit, pastaj  plotësim ndryshimit të Ligjit Nr. 04/L 131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, për ta hequr kriterin e 15 viteve kontributdhënëse dhe plotësim ndryshimit të ligjit të sigurimeve shëndetësore.


A.R Katana
Kosovo Telecom
Golden Eagle