Sindikalistët e MPJ-së ankohen se zyra e tyre u bastis dhe demolua
Kosovë

Sindikalistët e MPJ-së ankohen se zyra e tyre u bastis dhe demolua

Fadil Sertolli / RTKlive

Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës (SHSASHJ) përmes një komunikate për media njofton lidhur me aktin e fundit të cenimit të së drejtës për organizim sindikal brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës ( MPJ), veprime të cilat, sipas Shoqatës Sindikale, sistematikisht bien ndesh me parimet e kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe imunitetit sindikal.

“Pas largimit të kryetarit të Shoqatës Sindikale, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, sot më datë 28 shtator 2022, menaxhmenti i MPJD-së në mënyrë të dhunshme ka hyrë në zyrën e Kryetarit të Shoqatës Sindikale z. Agron Maloku duke e ndërruar cilindrin e derës dhe duke pamundësuar qasjen në zyrën e tij, në arkivin, vulën dhe dokumentacionet tjera të Shoqatës të krijuara vite me radhë që nga themelimi saj në mars të vitit 2017”, thuhet në komunikatë.

Shoqata Sindikale, përmes kësaj komunikate shprehe shqetësimin e saj lidhur me këtë incident dhe njëkohësisht ju bënë me dije se çdo lëshim eventual i ndonjë dokumenti në emër të Shoqatës Sindikale konsiderohet si keqpërdorim nga zyrtarët përgjegjës për ndërmarrjen e këtij veprimi të kundërligjshëm.

“Me këtë akt të turpshëm dhe kundërligjor, menaxhmenti i MPJD-së është duke e thelluar kundërligjshmërinë dhe konsumuar dhe kryer vepra penale të inkriminuara me legjislacion penal në Republikës e Kosovës”, thuhet në Komunikatë.

Po ashtu, Shoqata Sindikale iu bënë thirrje Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit që të ndërmarrin urgjentisht veprimet në drejtim të hetimit të rastit dhe ndjekjes penale të autorëve të këtij veprimi kundërligjor. 

 

 

 

 


MË SHUME NGA Kosovë