Haradinaj: AAK së shpejti do të paraqesë zgjidhjet për temat kryesore
Kosovë

Haradinaj: AAK së shpejti do të paraqesë zgjidhjet për temat kryesore

V.Thaçi /RTKlive

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, sot ka qëndruar në Istog ku gjatë takimit me qytetarë, ka shkëmbyer mendime për zhvillimet në vend, duke përfshirë grevën në arsim.

Ai ka thënë se partia që ai drejton së shpejti do të paraqesë zgjidhjet për temat kryesore në të cilat sipas tij ka dështuar plotësisht qeveria aktuale.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar ndihmën e ekspertëve që dëshirojnë të kontribuojnë për programin e ardhshëm qeverisës”, ka thënë Haradinaj.

Në takim me qytetarët e Istogut, Haradinaj ka ndarë shqetësimin për ndërprerjen e investimeve kapitale dhe investimeve në energji, si dhe qasjen e Qeverisë Kurti ndaj kërkesave të grevistëve në arsim, të cilat nuk po gjejnë zgjidhje tash e më shumë se një muaj.

Haradinaj ka folur edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, për të cilin theksoi se duhet të përmbyllet me marrëveshjen ligjërisht të obligueshme, e cila në qendër do të ketë njohjen reciproke në kufijtë ekzistues në qendër.

“Koha më e mirë që qeveria jonë të mos ketë dilema dhe të orientohet qartë drejt lidershipit amerikan për këtë proces të rëndësishëm për Kosovën”, ka thënë ai.


MË SHUME NGA Kosovë