Dyfishohet çmimi i druve dhe i peletit |Video
Kosovë

Dyfishohet çmimi i druve dhe i peletit |Video

Elmine Osmani/ RTK

Për shkak të çmimit të energjisë elektrike dhe mungesës në treg, Qeveria ka bërë apel që qytetarët të përdorin alternativa të tjera për ngrohje gjatë stinës së dimrit. Megjithatë, çmimi i druve vazhdon të mbetet dyfish më i lartë se në vitin e kaluar.

Sherafidin Keqekolla, qytetar tha se pavarësisht çmimit të druve, po duhet me i ble. “Shumë shtrenjtë janë por çfarë të bëjmë se po duhet se shumë shtrejntë'', tha ai.

 Makush Demi, tjetër qytetar deklaroi se çmime të tilla janë jo vetëm në vendin tonë.

 “Unë mendoj se po mundemi personalisht për veti e po flas por edhe për të tjerët sepse çmimet kanë shku faktikisht por nuk janë për tu vajtuar se në krejt Evropen dhe botën kështu është'', ka theksuar Demi.

Sali Gashi, qytetar, pohoi se “I kemi siguru drutë mirë megjithëse janë pak shtrenjtë 65-70 euro metri katror”.

Ngritjen e çmimeve, shitësit e druve e arsyetojnë me ngritje të inflacionit.

Bashkim Ibishi, shitës i drunjve tha se jo vetëm drunjtë janë shtrenjtuar.

''Vitin e kaluar ka qenë 45- 50 euro, sivjet është 60,65, 70, 75 euro këto 3-4 çmime lëvizin. Janë shtrenjtuar me naftë, me goma të traktorit, me goma të kamionit, me zingjir të motorrave me krejt janë shtrenjtuar për këtë edhe drunjtë shkuan shtrenjtë”, ka shtuar ai.

Një tjetër alternativë e ngrohjes është peleti, çmimet e të cilit janë rritur për 100 për qind brenda një periudhe prej një viti. Qeveria së fundmi ndaloi eksportin e tij, por ky veprim nuk është do të ndikojë në çmimin e peletit.

RTK vizitoi njërën nga fabrikat vendore, por përveç këtyre pamjeve, menaxherët e saj nuk pranuan të flasin para kamerës. Çmimi i një toni pelet sillet rreth 500 euro me tendencë rritjeje, derisa vitin e kaluar një ton pelet kushtonte 180 deri në 200 euro.


MË SHUME NGA Kosovë