Nagavci jep versionin e saj për mos ekzekutimin e pagave të mësimdhënësve
Foto: Arbërie Nagavci/ Facebook
Kosovë

Nagavci jep versionin e saj për mos ekzekutimin e pagave të mësimdhënësve

Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive

Derisa mësimdhënësit që ishin në grevë vazhdojnë të jenë pa paga për muajin shtator, ka reaguar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Sipas saj ndonëse komunat janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar, janë punëdhënëse dhe e kanë obligim të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministri të Financave, një gjë të tillë nuk e kanë bërë.

“Me kërkesë të ministrit të financave, Hekuran Murati, i kemi dërguar ato të dhëna që i kemi pasur të inspektorëve dhe zyrtarëve të MASHTI nga vizitat gjatë muajit shtator, në shkolla e çerdhe, me qëllim të realizimit të pagave për ta”, ka shkruar Nagavci.

Sipas saj ata që janë dëmtuar më së shumti nga greva e organizuar nga SBASHK, janë nxënësit.

“Për më shumë se një vit, kemi zhvilluar dhjetëra takime me kryesinë e SBASHK-ut, i kemi lutur të mos marrin hapa të pamenduar pasi si Qeveri kemi adresuar shumë shqetësime të mësimdhënësve, kemi miratuar politika të reja e rritur buxhetin për arsim. Kemi diskutuar me Kryesinë e SBASHK-ut se a do të kompensojë sindikata pagat e mësuesve ashtu siç ndodhë në shumicën e vendeve tjera dhe meqë ligji ndalon kompensimin për punën e pakryer”, ka shkruar tutje Nagavci

Sipas saj asnjë vëmendje në këtë drejtim, përkundrazi u zhvillua një muaj grevë me shumë zhurmë nga ata që sipas saj kanë përgjegjësi për gjendjen në të cilën ndodhet arsimi.

“Ligji duhet të respektohet në tërësi, ne kemi premtuar për këtë dhe premtimet tona i mbajmë. Kemi marrë mandatin për të hartuar politikat e për t’i realizuar ato dhe s’do të ndalemi. Sot publikojmë Kalendarin e rishikuar për vitin shkollor për 22 ditë të humbura të mësimit”.

Ministrja ka shkruar se rezultatet në arsim do t’i përmirësojnë, derisa bashkëpunimi e dialogu social do të vazhdojë, me parime e korrektësi, në interesin më të mirë të fëmijëve.

“Kompensim do të ketë. Kompensim për punën e bërë”, ka përfunduar reagimin e saj Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.



MË SHUME NGA Kosovë