Qeveria nuk kompenson grevistët, SBASHK-u i jep afat deri nesër
Foto nga takimi SBASHK-MASHT/Arkiv
Kosovë

Qeveria nuk kompenson grevistët, SBASHK-u i jep afat deri nesër

Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTKlive

Mësimdhënësit ende nuk kanë paga për muajin shtator ndonëse ka mbetur edhe një ditë kohë deri te afati final.

Për këtë ministrja e Arsimit thotë se përgjegjësia është e komunave si punëdhënëse të tyre.

Sipas ministres, Arbërie Nagavci komunat e kanë obligim të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministri të Financave, çka nuk e kanë bërë.

Por, Sazan Ibrahimi nga Asociacioni i Komunave të Kosovës ka thënë për RTKlive se komunat i kanë dorëzuar listat brenda afatit që ka qenë deri më 10 shtator.

“Nuk është e vërtetë, komunat i kanë dorëzuar të gjitha listat e pagave sepse e kanë pasur obligim ta bëjnë deri më 10 shtator. Niveli qendror e ka përgjegjësi vetëm ekzekutimin, por jo edhe ndërhyrjen në listën e pagave. Nëse niveli qendror supozon se ka padrejtësi aty, atëherë janë organet tjera që merren me këtë çështje. Si janë ekzekutuar pagat për shërbyesit civil në nivel lokal? Ato janë të njëjtat lista që i kanë dërguar komunat,”, tha ai.

Tutje Ibrahimi ka thënë se paga nuk kanë marrë as mësimdhënëset që ishin në pushim të lehonisë e as ata që ishin në pushim mjekësor, dhe jo në grevë.

Se do të ketë kompensim, por vetëm për ata që kanë bërë punë e ka përsëritur edhe zëdhënësi qeveritar, Përparim Kryeziu, i cili ka thënë se Parimi “pagë për punë” do të respektohet dhe mësimdhënësit që kanë mbajtur mësim do të kompensohen.

Kryetari  SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj thotë se më e keqja në këtë mes është se në grevë ishin edhe shërbyesit civil, por të cilëve u dolën pagat, e mësimdhënësve jo.

Jasharaj ka kujtuar votimin që u bë javën e shkuar kur mësimdhënësit vendosen për pezullimin e grevës duke thënë se rezultati ishte tejet e ngushtë derisa ka shfaqur frikën se edhe ata që votuan për pezullim mund të kalojnë tek ata që ishin për të vazhduar greva.

“Qeveria sikur nuk iu gëzua pezullimit të grevës. Rezultati në votim ishte tejet i ngushtë, unë kam frikë se rezultati mund të ndryshojë e të kalojnë tek ky numri tjetër. Se çfarë do të ndodhë pas 5 tetorit unë nuk mund ta di tani, por një gjë e di, ne do ta thërrasim Këshillin Grevist dhe ata do të vendosin për më tutje. Por, edhe po të mos ndodhë greva, qeveria dhe populli duhet ta dinë që ne jemi të ndëshkuar. Mësimdhënësit nuk di si do ta kalojnë muajin, si do t’i paguajnë obligimet e tyre mujore, si do ta paguajnë rrymën që mund të vije deri te komplikimet e të iu ndërpritet edhe rryma për mos pagesë”, tha ai.

Kërkesa që mësimdhënësve të iu dalin pagat për kohën e grevës janë shtuar edhe nga deputetë të partisë në pushtet.

Ndërkohë edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës ka kërkuar që Qeveria t’i ndajë mjetet për mësimdhënësit në të kundërtën do të mbledhin fond solidariteti për t’i kompensuar ata, ndonëse asnjëherë nuk ishin dakord me grevën.

Por, SBASHK-u ka thënë se ata nuk po kërkojnë lëmoshë.

 


MË SHUME NGA Kosovë