Kryeprokurorët paraqesin sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen
Foto: Prokurori i Shtetit
Kosovë

Kryeprokurorët paraqesin sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen

E.Hoti/RTKlive

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka mbajtur takimin e radhës së Kolegjiumit të kryeprokurorëve të prokurorive të vendit, në të cilin morën pjesë kryeprokurorët, përfaqësues të prokurorive dhe prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Në një komunikatë për media bëhet e ditur se, në këtë takim u diskutua lidhur me përgatitjet për Javën për të Drejtat e Viktimave të Krimit, angazhimin dhe rolin e të gjitha niveleve të prokurorive në shënimin e kësaj jave, e cila organizohet në mbështetje të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

“Po ashtu, gjatë këtij takimi, kryeprokurorët kanë paraqitur sfidat dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen prokuroritë që ata i drejtojnë, veçmas për numrin e madh të lëndëve të pranuara dhe numrin e vogël të prokurorëve në trajtimin e këtyre lëndëve, unifikimin e praktikave në trajtimin e rasteve të ndryshme penale dhe çështje të tjera profesionale”, thuhet në njoftim. 

Bëhet e ditur se në fund, U.D. Kryeprokurori Kelmendi, kërkoi që çdo shkresë e parashtruar nga palët të trajtohet në kohë dhe me përgjegjësi të lartë, njëkohësisht, secila palë të marrë përgjigje lidhur me shkresën që e ka adresuar në prokurorinë përkatëse.


MË SHUME NGA Kosovë