Mbahen aktivitete ndërgjegjësimi për mbrojtjen e kafshëve|Video
Kosovë

Mbahen aktivitete ndërgjegjësimi për mbrojtjen e kafshëve|Video

Elmina Osmani/RTK

Një park që simbolizon mbrojtjen e kafshëve konsiderohet të jetë Pylli i Arinjve. Ky park vizitohet jo vetëm nga qytetarët e vendit, por edhe nga të huajt, siç është rasti me dy turistë, të cilët shprehen të ngazëllyer me përkujdesjen që po u bëhet kafshëve.

“Është hera e parë që jam këtu dhe është e mrekullueshme. Kafshët kanë hapësira dhe nuk janë të mbajtura rob nga njerëzit. Gjëja kryesore për mua është të edukohen njerëzit për mirëqenien kafshëve", thotë Rebecca Louise, turiste.

“Peizazhi është shumë i bukur, hapësirat po ashtu. Nuk munda të hip deri lart, por i pashë dy arinj dhe më pëlqyen shumë”, thotë Gert Strauch, turist.

Drejtori i Parkut të Arinjve, Afrim Mahmuti, tha se kafshët duhet të mbrohen çdo ditë të vitit. Ai shprehet i lumtur që Kosova është ndër vendet e rralla që nuk ka arinj në kafaz.

“Shpëtimi i arinjve është një gjë që i preke të gjithë. Arinjtë që ne i kemi shpëtuar nga viti 2013 e këtej kanë histori të ndryshme të keqtrajtimit, të jetës së vështirë nëpër kafaze shumë të vogla", tha Mahmuti.

Nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thonë se Kosova hyn në radhën e vendeve me faunën më të pasur.

“Kosova hyn në radhën e vendeve me faunë më të pasur dhe heterogjene në Gadishullin Ballkanik. Kjo pasuri faunistike është rezultat i ndikimeve të shumta të regjionit mesdhetar eurosiberian dhe atij nordikoalpin si dhe i ndryshimeve të shpeshta të kushteve ekologjike nga e kaluara”, tha Besmir Kokollari, zyrtar i ndërgjegjësimit në MMPH.

Ndërsa, drejtori i Shëndetit dhe Mirëqenies së Kafshëve, në kuadër të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Sadik Heta, konsideron se kujdesi ndaj kafshëve shtëpiake nga pronarët e tyre lë për të dëshiruar.

“Kafshët blegtorale akoma te ne mbahen me standarde të viteve ka kaluara jo me standarde si i kanë vendet e Bashkimit Evropian. Ata që merren me mbrojtjen e të drejtave të kafshëve e dinë fort mirë që, edhe pse ka ardhur duke u përmirësuar, mbrojtja e kafshëve në Kosovë akoma është problem", tha Sadik Heta, drejtori i Shëndetit dhe Mirëqenies së Kafshëve në AUV.

Kosova vlerësohet si vend i pasur me kafshë blegtorale dhe shtëpiake.


MË SHUME NGA Kosovë