Nagavci uron mësimdhënësit për Ditën Ndërkombëtare të Mësuesit
J.Musliu/RTKlive
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci, i ka uruar mësimdhënësit në ditën botërore të tyre.
5 tetori është shpallur nga UNESCO në vitin 1994, si Ditë Ndërkombëtare e Mësuesit.
Dita e Mësuesit synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e rolit të mësuesit në të gjithë botën.
“Le të jemi dhe ne bashkë në respektim të standardeve më të larta, në përmbushje të besimit të shoqërisë për mirë edukimin e fëmijëve, për progresin e të gjithëve”, deklaroi Nagavci.
“Ju faleminderit nga zemra për përkushtimin tuaj të vazhdueshëm. Urime dita juaj!”.
Nagavci në letrën e urimit tha se muaji i fundit s’ka qenë i lehtë dhe se është e vetëdijshme për gjendjen aktuale në arsim.
“Jam shumë e vetëdijshme për gjendjen aktuale në arsim, e kam përjetuar në të gjitha nivelet, dhe kjo ka bërë që në secilën punë time, nga angazhimi im si deputete dhe sot si ministre, që nga dita e parë në zyret e Ministrisë së Arsimit kemi filluar dhe po vazhdojmë të marrim nisma e vendime që do të çojnë ligjërisht dhe praktikisht në një gjendje më të mirë në të gjitha nivelet e arsimit” – ka thënë ajo.
Sidoqoftë, për shkak të grevës së mbajtur gjatë muajit shtator, mësimdhënësve kosovarë nuk u janë proceduar ende pagat.























