Jasharaj: Le ta di bota se Qeveria po sjell mesazhe pikëllimi për mësuesin
J.Musliu/RTKlive
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, u është drejtuar me një letër, mediave, e nëpërmjet tyre edhe Qeverisë së Kosovës.
Letrën e tij, ai e ka cilësuar si:- “’Dhurata’ e Qeverisë për Ditën ndërkombëtare të Mësuesit”, pasi 5 tetori, është Dita Ndërkombëtare e Mësuesit.
“Sot të 31 milionë mësuesit, anëtarë të Internacionales Botërore të Arsimit, e në këtë numër bëjnë pjesë edhe anëtarësia e SBASHK-ut , me aktivitete shënojnë këtë ditë të madhe të mësuesit”, nis letrën e tij, kryesindikalisti Jasharaj.
“Sot lartësohet kujtimi për sakrificat sublime të mësuesit nëpër vite e dekada. Sot rikthehet kujtimi edhe për mësuesit e Kosovës, që në vitet e 90-ta kanë bërë sakrifica sublime në mbrojtje të dritës kundër errësirës e duke ruajtur idealin dhe shpresën për Kosovën shtet”.
Ai më tej shkruan se më 5 tetor, miliona mësues të botës kremtojnë ditën e tyre dhe blejnë ndonjë dhuratë e gjësende për të festuar, ndërsa punëtorët e arsimit në Kosovë, festojnë të dëshpëruar e pa paga.
“Qeveria e tyre i ndëshkoi për grevën legjitime në kohën kur për të njëjtën grevë, ua dha pagat shërbyesve civilë që me qëndrim dinjitoz ishin në grevën e njëjtë”, rikujton Jasharaj, sipas të cilit, punëtorët e arsimit janë në pritjen e arsyeshme, që në pjesën e dytë të ditës së 5 tetorit, Ditës Ndërkombëtare të Mësuesit, të marrin pagat e të blejnë ndonjë dhuratë modeste e ta festojnë këtë ditë të madhe.
“Por nëse kjo nuk ndodh , jo vetëm qytetarët e Kosovës , por edhe gjithë bota do ta kuptojë se Qeveria po sjell mesazhe pikëllimi për mësuesin e Kosovës edhe në këtë ditë të madhe të mësuesit kudo në botë”.
Gjatë ditës, 5 tetorin, mësimdhënësve kosovarë ua ka uruar edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Ajo shkroi se ministri, janë maksimalisht të angazhuar në rregullimin e sektorit të arsimit, të cilin tha se ka gjetur me shumë mangësi në të gjitha hallkat e funksionimit të saj.
“Dhe padyshim, fajtorët nuk janë të panjohur. I dini ju, të nderuar mësues, po aq mirë, sa secili nga ne”.
Sidoqoftë, në tërë atë deklarim të saj, ministrja Nagavci nuk ka përmendur mosdhënien e pagave për mësimdhënësit.