KFOR-i me komandant të ri, gjenerali hungarez pasohet nga ai italian
BKT
Foto: Donika Sherifi
Kosovë

KFOR-i me komandant të ri, gjenerali hungarez pasohet nga ai italian

Muharrem Miftari/RTKlive

Me ceremoni ushtarake, në komandën e KFOR-it në Prishtinë, u ndërrua komandanti i rreth 3 mijë trupave të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

Nga gjenerali hungarez, Kajari, komandën e mori gjenerali italian  Ristuccia.

Në praninë edhe të  presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti, ministra e zyrtarë të tjerë, përfshirë edhe ministrin e Mbrojtjes së Italisë dhe ambasadorë të vendeve të ndryshme, gjenerali në largim, Kajari, falënderoi  të gjithë për bashkëpunim duke shtuar se suksesi i KFOR-it bartet nga njëri komandant tek tjetri.

Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admirali Stuart Munsch, deklaroi se KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë misionin e vet.

“Por më lejoni të falënderoj në mënyrë të veçantë autoritetet e Kosovës, për ndihmën e dhënë gjatë strehimit të refugjatëve afganë”, tha admirali Munsch, duke iu drejtuar presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti.

Nga ana e saj, presidentja e Republikës, në fjalën e saj tha se kontributi i KFOR-it përgjatë viteve, ka qenë i madh dhe  bashkëpunimi me institucionet e vendit ka kontribuar edhe më shumë për liri të lëvizjes dhe të sigurisë në vend.

Ajo më tej përmendi faktin se më shumë se 100 mijë ushtarë të KFOR-it kanë kontribuar në sigurinë  vendit, me ç’rast, si presidente e Kosovës falënderoi për kontributin e tyre për paqe.

Presidentja theksoi se me uljen e prezencës së KFOR-it, institucionet e vendit rrisin prezencën e tyre në ndërtimin dhe zhvillimin e vendit.

E komandanti i ri i KFOR-it, Ristuccia, pasi përkujtoi të gjithë ushtarët dhe të vrarët që në mënyrë të ndryshme kanë dhënë jetën për liri, tha se misioni i KFOR-it është i suksesshëm sepse është  rezultat i përkushtimit të të gjithë atyre që janë të përkushtuar për stabilitet, siguri e liri.

Gjeneral Ristuccia është komandanti i 27-të me radhë i KFOR-it. Aktualisht janë 3.735 ushtarë të KFOR-it të ndarë në njësi të ndryshme. Komandanti i parë i KFOR-it ishte gjenerali anglez,  Mike Jackson.

 


MË SHUME NGA Kosovë