Peci: Skandali me pronat i tejkalon ato me subvencionet
M.Sh/RTKlive
Pas skandaleve të fundit që kanë dalur në Ministrinë e Bujqësisë me subvencione, ka reaguar sërish ministri Faton Peci, i cili ka adresuar një varg shkeljesh edhe me pronat bujqësore. Ai përmes një postimi në facebook, ka thënë se është abuzuar edhe në menaxhimin e pronave.
Ai ka thënë se para disa muajsh ka kërkuar themelimin e një komisioni që adreson vërejtjet e vazhdueshme të Auditorit të Përgjithshëm rreth menaxhimit të pronave të Institutit Bujqësor të Kosovës në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.
Ndërsa të gjeturat, sipas tij, janë shumë më skandaloze sesa vërejtjet e marra në vazhdimësi nga Auditori.
“Fatkeqësisht nuk është abuzuar vetëm në kategorinë e subvencioneve dhe granteve. Skandalet dhe abuzimet më të mëdha na dalin të jenë tek menaxhimi i pronave”, ka shkruar Peci, sipas të cilit, “para syve të institucioneve qendrore e lokale, në zemër të Prishtinës, në Ulpianë ështe zhvatur prona e Ministrisë së Bujqësisë duke u lejuar apo duke mbyllur sytë karshi”.
Ministri Peci përmend ndërtimet e jashtëligjshme, uzurpimin dhe tjetërsimin e pronës publike të Ministrisë nga individë të ndryshëm, e po ashtu edhe tejkalim në objekte banimi dhe lokale afariste.
“Ditëve në vijim do të marrim të gjitha veprimet administrative dhe ligjore, që do të mundësojnë rikthimin e ligjshmërisë, kthimin e këtyre aseteve dhe pasurive tek titullari, valorizimin e pronës dhe rritjen e inkasimit të mjeteve në shërbim të interesit të qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Peci, duke akuzuar ministrat e mëparshëm për mos-veprimi në ndaljen e paligjshmërive.
“Andaj, për të gjitha këto veprime të kundërligjshme, ftoj Prokurorinë e Shtetit që të vihet në shërbim të zbardhjes së këtyre rasteve abuzive sepse adresimi i këtyre problemeve të shtresuara, nuk zgjidhet vetëm me adresime administrative”, ka shkruar Peci në rrjetin social.























