Shaban Gogaj dënohet me 7 vjet e 6 muaj burg për vrasjen e Agonis Tetajt
J.Musliu/RTKlive
I akuzuari Shaban Gogaj, u dënua me 7 vjet e gjashtë muaj burg. Trupi gjykues në Gjykatën Themelore në Pejë, shqiptoi të premten aktgjykimin ndaj Gogajt, i cili u gjet fajtor për vrasjen e Agonis Tetajt.
Vrasja ndodhi katër vjet më parë. Viktima ishte i punësuar në një pompë derivatesh në Deçan, e ku pronar ishte i dënuari Gogaj.
E gjithë ngjarja është regjistruar nga kamerat e sigurisë. Këto pamje, të publikuar më vonë, u cilësuan si shokuese nga opinioni publik.
Babai i të ndjerit, Isuf Tetaj, publikoi pamjet e momenteve tragjike ku djali i tij, Agonis Tetaj, mbeti i vrarë në vend në vendin e punës.
Aktgjykimin e saj, Gjykata Themelore në Pejë e shpalli, pas Rikualifikimit të veprës penale, nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.
Në fakt, Gogaj u drenua për vrasjen me 5 vjet burg, kurse me 3 të tjera për armëmbajtje pa leje.
Në fund, në gjykimin unik, ajo i shqiptoi 7 vjet e gjashtë muaj burg. Procesi gjyqësor është përcjellë me shumë lëvizje.
Aktakuza ishte ngritur nga prokurorja Sahide Gashi nga Prokuroria Themelore në Pejë. Më vonë ajo është përjashtuar nga rasti, duke bërë që dosja të bartet për përfaqësim në Prokurorinë e Gjilanit.























