Sindikalistët kritikojnë tri Projektligje: Po avancohet stafi politik
N.Mekolli /RTKlive
Shoqatat Sindikale të Shërbyesve Civilë të institucioneve qendrore, sot, kanë mbajtur diskutim publik lidhur me tri projektligje; atë për Zyrtarët Civilë, atë për Paga dhe atë për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK).
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, fillimisht foli për rëndësinë e tri projektligjeve të cilat janë në diskutim.
“Sa më të avancuara të jenë këto ligje, aq më i avancuar do të jetë produktiviteti ynë në punë. BSPK po i përcjell me vëmendje këto projektligje, të cilat e ndërtojnë sistemin e punës tonë”, tha Hykolli.
Kurse nikoqiri i këtij aktiviteti, Ali Sefaj nga Shoqatat Sindikale të Shërbyesve Civilë, prezantoi komentet rreth tri projektligjeve dhe gjithashtu foli për rëndësinë e miratimit të tyre, për çka kërkoi angazhim.
”Nëse këto tri ligje do të jenë të mira, ne, do të kemi mundësi për reforma të mirëfillta shtetërore”, tha ai.
Sefaj, pati kritika në draftet e prezantuara në publik, duke thënë se stafi politik po avancohet, ndërsa shërbyesit civil po diskriminohen.
“Në këtë draft janë avancuar stafe politike tejmase, ndërsa zyrtarët profesional që duhet t’i kryejnë punët janë diskriminuar”, tha ai, duke shprehur një sërë vërejtjesh në këto draft-projekte.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, tha se degradimi në pozita nuk duhet të ndodhë. Ai përmendi Raportin e Komisionit Evropian, ku sipas tij, thuhet se këtë vit nuk kishte ndërhyrje politike. Sipas tij, administrata ka vuajtur nga puna joprofesionale, por tani është koha për reforma, sepse nuk mund të punohet me ritmet e para 20 vjetëve.
Dobra foli edhe për takimet me sindikatat e institucionet tjera, për bisedat lidhur me çështjet e administratës, vlerësimin e performancës, në punë e tj.
“Nuk do të largohet askush nga puna edhe nëse dikush nuk e fiton një pozitë më të lartë, ai do të mbetet në punë, do të mbetet në shërbimin civil”, sqaroi ai.























