Mungesë asistentesh për nxënësit me sindromën down|Video
Arlinda Sejda - RTK
Shkollat në Prishtinë po vazhdojnë të kenë mungesë të asistentëve për fëmijë me nevoja të veçanta.
Komuna e Prishtinës ka të punësuar 15 asistentë, bazuar në numrin e lejuar nga ministria, por kërkesat për asistentë e kalojnë numrin prej 500.
Në mungesë të tyre dhe pamundësisë për të paguar asistentë privat, shumë prindër detyrohen t'i shoqërojnë fëmijët në orët mësimore.
Mimoza Bytyqi prind i një fëmije me nevoja të veçanta, detyrohet të qëndrojë çdo ditë në shkollë me fëmijën e saj deri në përfundimin e orëve. Krejt kjo për shkak të mungesës së asistentëve në shkolla.
“ Këtë vit kemi edhe mungesë të asistentit, këtë kohë jam duke e bërë edhe detyrën e asistentit ose mësuesit mbështetës së fëmiut, nuk kemi mundur të sigurojmë edhe pse viteve tjera i kemi paguar vet... dëshira e madhe për ta parë djalin në klasë afër shokëve e shoqeve, të jetë i socializuar, të arrij aq sa mundët, me jep guxim dhe forcë”, shprehet Mimoza Bytyqi Rrahmani – prind.
Ngjashëm edhe Nazimi i cili është prind i fëmijës me nevoja të veçanta, i duhet disa herë në ditë të mitizojë shkollën për shkak të kërkesave të fëmiut, në mungesë të asistentit, të cilin nuk arrin t’a paguaj vetë
“ Djali ka vështirësi, është me sindromën down dhe me diabet të tipit 1,. Gjatë ditës katër herë duhet të marr insulinë, si prind e kam të vështirë”, shprehet Nazim Gërguri- prind.
Komuna e Prishtinës i ka punësuar tashmë 15 asistent. Sipas drejtoreshës së arsimit, ky numër është ndarë nga ministria e arsimit, e që sipas sajë është numër shumë i vogël, teksa tha se janë diku 500 fëmijë që kanë nevojë për asistencë vetëm në shkollat e Prishtinës.
“ Lajmi i mirë është që ne si komunë e Prishtinës kemi shpallur konkursin e 25 psikologëve në shkolla fillore, të mesme dhe çerdhe të Prishtinës, po bëjmë 3-fishim të psikologëve duke e ditur që pandemia ka bërë që dhuna të rritet. Profesioni i psikologut është i domosdoshëm për çdo shkolle”, tha Besianë Musmurati - drejtoreshë e arsimit komuna e Prishtinës.
Në një përgjigje për RTK-në nga ministria e arsimit, thonë se MASHT-i planifikon shtimin e kapaciteteve të këtyre profesionistëve në shkolla
“Aktualisht janë 186 asistentë të punësuar nëpër shkolla në nivel vendi. Sipas të dhënave në sistemin arsimor, në qendra burimore dhe shkolla të rregullta janë 3 mijë e 813 fëmijë me nevoja të veçanta. Këtë vit kemi punësuar 100 asistentë, ndërsa për vitin e ardhshëm është planifikuar buxheti për punësimin e 300 asistentëve tjerë. Nga konkursi i fundit do të pranohen gjithsejtë 125 kandidatë në të gjitha komunat. Megjithatë, numri aktual i asistentëve nëpër shkolla është I pamjaftueshëm për të gjithë fëmijët që kanë nevojë”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it .























