Personat me `Sindromën Daun` vazhdojnë të ballafaqohen me sfida të shumta
Pajtim Çuni/Radio Kosova
Tetori, si muaj i ndërgjegjësimit për Sindromën Doun, po shënohet edhe në Kosovë, me aktivitete të ndryshme. Paragjykimet e shumta që dikur ekzistonin ndaj personave me Sindromë Doun, po tejkalohen çdo ditë e më shumë. Një dëshmi për këtë është integrimi dhe punësimi i personave me Sindromë Doun, sikundër janë Aldi Hoxha, Eloida Alija, Emine Hasani dhe Gentrit Rashica.
Aldi Hoxha, nga Gjakova, i cili prej disa vitesh jeton në Prishtinë, vazhdon të jetë i pari dhe i vetmi person me Sindromë Daun i punësuar në sektorin publik.
“Unë po kënaqem shumë në punë. Nuk e kam vështirë të punoj. Punoj që nga viti 2019, këtu në “Trafikun Urban”. Punoj me kompjuter. Kam një listë ku shënoj të gjithë mysafirët. Fillimisht ia marr letërnjoftimin. Pastaj ia shënoj emrin, mbiemrin, orën e hyrjes e të daljes dhe datën. Kënaqem edhe me kolegë”, tha ai.
Përkundër obligimeve ligjore, ndryshe nga sektori publik, ai privat po i jep më shumë mundësi integrimit dhe punësimit të personave me Sindromë Daun. Eloida Alija, ka disa vite që punon si asistente stomatologu në një ordinancë private. Ferizajasja, me shumë pasion luan edhe me piano.
Në Ferizaj, vitin e kaluar, punën në një kopsht fëmijësh e ka filluar edhe Emine Hasani, e cila është shumë e kënaqur me punën që ka.
“Punën e kam nisur në shtator të vitit të kaluar. Mirë kaloj me fëmijë dhe kolege. Jam shumë e lumtur me të gjitha. Edhe me punën që kam. Unë shkoj edhe në shoqatë, ku ndreqim kartolina. Kam qejf që shokët edhe shoqet t’i shoh sikur unë, duke punuar”, thotë ajo.
Drejtoresha e Kopshtit “Dielli”, Lindita Hasani, thotë se ndër vite në mesin e fëmijëve kanë pasur edhe fëmijë me Sindromën Doun. Sipas saj, këta fëmijë janë të veçantë e shumë të dashur, e me dëshirën e thyerjes së paragjykimeve për ta, kishin vendosur që të punësonin Eminen.
“Eminja është shumë e mirë në punë. Punon me gjysmë orari, nga ora 8:00 deri në ora 12:00. Është shumë e dashur me fëmijët. Edhe fëmijët dhe koleget po ashtu e duan shumë. Eminja punën e bënë perfekt. Orarit nuk i ikën. I respekton rregullat e kopshtit. Është punëtore e dalluar, andaj edhe jemi shumë krenarë që e kemi në mesin tonë”, shtoi ajo.
Drejtoreshë Lindita, tregon për punët që bën Eminja.
“Eminja nuk i ka punët e caktuara në kopsht. Shkon nëpër dhoma, tek edukatorët dhe fëmijët. Eminja shkon në kuzhinë, në zyre. Punon në recepsion, pra është e pranishme kudo”, tregon ajo.
Eminja ka karakter të fortë e të mirëformësuar, çka ka ndikuar që ajo të mirëpritet nga të gjithë, thotë Fatbardha Selmani, psikologe e kopshtit.
“Eminja ka një karakter shumë të fortë e të formësuar. Me asgjë nuk dallohet nga edukatoret e tjera. Nga prindërit dhe fëmijët është pritur shumë mirë që nga fillimi. Ne si kopsht e promovojmë gjithëpërfshirjen, dhe ky ka qenë një rast shumë i mirë për të mësuar fëmijët që t’i pranojnë të gjithë, ashtu siç janë”, tha ajo.
Viti 2022 ishte i mbarë edhe për Gentrit Rashicën nga Vushtrria, i cili falë mundësisë së dhënë nga punëdhënësi dhe angazhimit të tij, prej disa muajsh punon në një zyrë përmbarimore, në qytetin e lindjes.
I veshur me mjaft elegancë, pasi na priti ngrohtësisht, i ulur pranë kompjuterit të tij, Geni na foli pak për punën që bën.
“Po, mirë kaloj. Punoj çdo ditë. Shumë mirë është. Kaloj mirë me kolegët e mi dhe shefin. I rregulloj zarfet, bëj fotokopje...”, tha ai.
Pas përfundimit të kontratës gjashtëmujore për punë provuese, në fillim të tetorit, i cili njihet edhe si muaji i ndërgjegjësimit për Sindromën Doun, Gentriti u bë me kontratë pune pa afat të caktuar.
Punëdhënësi i tij, përmbaruesi Atip Mustafa, tregon për Radio Kosovën se Geni është punëtor i madh, i dashur dhe pedant në punë.
“Ne jemi shumë të kënaqur dhe shumë të lumtur që e kemi Genin pjesë të stafit tonë. Kjo ka bë që edhe vetë atmosfera brenda në zyrë të jetë më e mirë, më e hareshme. Për këtë, ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur me Genin. Punët e Genit janë; fotokopjimi, fajlimi i lëndëve, ka përgjegjësi edhe listën e postës, pra, i përgatitë zarfet që i dërgojmë nëpërmjet postës, por bën edhe punë të tjera”, tha ai.
Shoqëria nuk duhet të ketë paragjykim për personat me Sindromë Daun , thotë Mustafa, i cili apelon për më shumë integrim e punësim të tyre.
“U bëj thirrje të gjitha bizneseve dhe institucioneve që t’i shikojnë mundësitë financiare dhe të ofrojnë vende pune për personat me Sindromë Daun. Sepse, me të vërtetë janë shumë të mirë, punëtorë e të sjellshëm, e kjo gjithsesi do të ndikojë në mbarëvajtjen e punëve të tyre brenda kompanisë apo institucionit. Është shumë kënaqësi ta kesh një koleg si Geni dhe të bashkëpunosh me të”, tha ai.
Drejtoreshë Lindita thotë se paragjykimet ndaj personave me Sindromë Daun po tejkalohen nga dita në ditë. Megjithëkëtë, ajo thotë se shoqëria jonë duhet të tejkalojë çdo paragjykim dhe të angazhohet edhe më shumë në integrimin dhe punësimin e personave me Sindromën Daun.
“Meqë tetori është muaji i ndërgjegjësimit për Sindromën Daun, e kisha lutur çdo institucioni privat e publik që ka mundësi, të punësojë një person me Sindromën Daun. Është kënaqësi puna me ta. Këta japin shumë dashuri dhe më besoni, se puna ka për t’ju ecur më mirë nëse e keni të punësuar person me Sindromë Daun”, tha ajo.
Në Kosovë llogaritet të jenë rreth 1 mijë persona me Sindromën Daun. Përkundër përmirësimit të ndjeshëm të situatës viteve të fundit, personat me Sindromën Daun vazhdojnë të ballafaqohen me sfida të shumta, që ndërlidhen me edukimin, shëndetin dhe mirëqenien e tyre.
























