Nagavci: MASHTI po punon në parandalimin e rreziqeve nga trafikimi
Mejreme Tahirukaj / Radio Kosova
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se institucioni që ajo drejton po punon vazhdimisht në parandalimin e rreziqeve nga trafikimi me qeniet njerëzore.
Nagavci tha se kjo temë është trajtuar në të gjitha nivelet e arsimit duke u inkuadruar edhe në lëndët shkollore, në veçanti tek ata kapituj ku trajtohen të drejtat njeriut.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, në lansimin e Fushatës kundër trafikimit me qenie njerëzore u shpreh se trajtimi i kësaj dukurie me efikasitet në institucionet edukativo-arsimore në të gjitha nivelet, ndikon pozitivisht në parandalimin e trafikimit, në promovimin e sjelljeve të shëndosha dhe përgatitjet e të rinjve dhe të rejave në shmangien e ekspozimit e rreziqeve të mundshme.
“Prej kohësh Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e ka inkuadruar këtë temë në kurrikulat arsimore në të gjitha nivelet e arsimit dhe në programet lëndore, e në veçanti në ata kapituj ku trajtohen të drejtat e njeriut, pra, në lëndën e Edukatës Qytetare dhe te lënda Aftësitë për Jetë”, ka thënë Nagavci.
Ministrja Nagvci tha se, gjithashtu, përmes trajnimeve të mësimdhënësve të lëndëve të ndryshme MASHT-i ka ngritur kapacitetet nëpër shkolla.
Ndërkaq njohësi i çështjeve të arsimit në Institutin “Edguar”, Rinor Qehaja, vlerëson se përfshirja e parandalimit të trafikimit me qenie njerëzore në programet shkollore është e rëndësishme dhe me lehtësi mund të zbatohet në programet mësimore.
“Për këtë na nevojiten mësimdhënës kompetentë, të cilët janë të vetëdijshëm për temën në fjalë dhe përditësojnë plan-programet dhe përkrahjen, qoftë me material mësimor, qoftë me kapacitet të rritur profesional, në mënyrë që të sigurohemi që mësimdhënia në klasë për temën e parandalimit të trafikimit me qenie njerëzore me të vërtetë prek vetëdijen e rritur të nxënësve tanë të të gjitha niveleve pa përjashtim”, ka thënë Qehaja.
Ndryshe Ministria e Arsimit ka krijuar lehtësira procedurale për ri-integrimin e viktimave të trafikimit në sistemin arsimor.























