Në kushte të vështira në “Tefta Tashko”, mësohet muzikë |Video
Valbona Tahiri/ RTK
Në klasa shumë të vogla të improvizuara të ndara me pllaka gjipsi mësohet mbi instrumentet muzikore në shkollën e muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë.
Një dekadë, në mungesë të objektit adekuat nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës së muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë, zhvillojnë procesin mësimor në një objekt i cili nuk i plotëson as kushtet minimale për fushën e muzikologjisë.
Nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle janë të vendosur në katin e dytë të ndërtesës, aty në shfrytëzimin e tyre janë 11 zyra të cilat janë ndarë me pllakë gjipsi dhe janë shndërruar në klasa mësimi, por 2 prej tyre janë jashtë funksioni pasi janë dëmtuar nga shiu.
“Në fakt kjo shkollë nuk e plotëson as edhe një kusht elementar, pavarësisht kësaj po mundohemi dhe po ia dalim disi me organizimin e orëve mësimor”, tha për RTK-në, mësuesja e pianos, Saranda Kutllovci-Syla.
Me kushtet e vështira të cilat përballen edhe nxënësit tregojnë se shpesh dekoncentrohen kur janë duke mësuar një pjesë muzikore për të luajtur në instrumentin e tyre, derisa instrumenti tjetër dëgjohet nga klasa tjetër afër, e cila është e ndarë me një mur të hollë, pa akustik.
“Kemi klasa pak, na duhen me ushtrua shpesh, e kjo nuk na e mundëson një gjë të tillë se ka mungesë hapësire, pastaj dëgjohet nga klasa në klasë që të dekoncentron”, thotë nxënësja Blenda Kelmendi.
Literatura muzikore përveç e improvizuar, në shumë lëndë të tjera nxënësit marrin në të shumtën e kohës edhe shënime në formën mekanike, duke shpjeguar profesori e nxënësit duke mbajt shënime në fletore.
“Tekste zyrtare ka shumë pak në gjuhën shqipe – ndoshta janë 2 ose 3 libra sa i përket literaturës për violinë ose violë, gjatë studimeve jam mundu me e krijua një repertor sa isha në Gjermani e Austri”, tregon Arben Ademi, mësimdhënës i violës dhe muzikës kamertale.
“Por kjo mungesë e teksteve për shkollat e muzikës është një faj i dyanshëm, Ministria e Arsimit nuk ka bërë thirrje asnjëherë që ne të aplikojmë me tekste në gjuhën shqipe dhe të krijohet një plan program i mirëfilltë”.
Shkollat e muzikës jo vetëm në Mitrovicë por në të gjithë vendin përballen edhe me mungesën e dokumentacionit pedagogjik.
Ditarët, librezat e dëftesat nuk janë adekuate për këtë fushë veprimtari, ato improvizohen për shkolla të muzikës.
Të gjitha këto vështirësi e probleme drejtues të shkollës vënë në dukje se nuk i meritojnë të rinjtë e Mitrovicës, aty ku edhe ka lindur muzika Rock.
“Në Mitrovicë në qytetin e Rock-ut mendojë që edhe me emrat që kanë dalë nga kjo shkollë e meritojmë një objekt të ri. Prej të gjitha shkollave jemi me kushtet më të vështira”, thotë për RTK-në, drejtoresha e shkollës së muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë, Valbona Prekazi.
“Sidoqoftë ose shkolla e re, ose rinovimi i kësaj ku jemi, do të jetë një zgjidhje për ne, madje do të kontribuonte në rritjen e numrit të nxënësve”.
Plani ideor për shkollën e re të muzikës tanimë është realizuar nga ekspertët e drejtorisë për Urbanizëm dhe Kadastrit në Mitrovicë, e diskutueshme është vetëm lokacioni të cilin janë në hulumtim e sipër.
Por fillimi i punimeve do të jetë viti 2023, kur do të niset me punët e para për ndërtimin e shkollës së re të muzikës.
“Bashkë me Kryetarin, Hamza e kemi vizituar shkollën dhe e kemi parë shumë afër, përveç që ka qenë premtim elektoral, e kemi futë edhe në projektet tona për ndërtimin e ri”, shprehet Drita Kadriu, drejtoreshë e arsimit në Mitorvicë.
“Drejtoria e Urbanizimit dhe Kadastrit janë duke e hulumtuar lokacionin për të vendosur për fillimet e ndërtimit pasi plani ideor tashmë është realizuar nga zyra përkatëse për shkollën e re të muzikës”.
Objekti i shkollës së vjetër të muzikës në Mitrovicë i cili thuhej të ishte 150 vjet i vjetër që gjendej në rrugën “Luan Kukelli”, në marsin e këtij viti u rrënua me urdhëresë të komunës së Mitrovicës, me arsyetimin se ishte objekt me rrezik për nxënësit dhe personelin arsimor. Aty tashmë kanë mbetur vetëm gërmadhat e saj.























